Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të thirret në SPAK javën e ardhshme. Kjo për të dëshmuar në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Sipas televizionit “News 24”, përveç ish-kryeministrit që do të japë dëshminë e tij lidhur me çështjen, edhe ish-ministri Arben Imami si person që ka dijeni për procedurat.
Po ashtu dhe Xhemal Gjunkshi.
Lidhur me çështjen në SPAK ishte sot për të dëshmuar ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Në një prononcim të shkurtër për mediet, Mediu tha vetëm se është thirrur si deklarues për një hetim por pa dhënë detaje: “U ftova për të dhënë një dëshmi si person që kam dijeni për një hetim që është interesi i SPAK, do ruaj konfidencën e dëshmisë. Jam thirrur si deklarues.”
Padia në SPAK kundër Berishës lidhur me këtë çështje është dorëzuar në vitin 2020 nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.
Sipas tij, një tokë prej 3.3 hektarësh në Tiranë te ish-kompleksi Partizani u privatizua me çmimin “qesharak” sipas tij, prej 100 mijë dollarësh, dhe ku ka ndërtuar kompleksin e apartamenteve dhëndri i Berishës Jamarbër Malltezi.
Në Ditën e dorëzimit në SPAK të kësaj padie Balla tha se: “Një pronë me rreth 10.000 m2, mu në qendër të Tiranës në vitin 2008 e prapa është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë. Nëse çdo qytetar shqiptarë do ta vlerësonte është një pronë me 10.000 m2 duke ndërtuar 17 kulla me një vlerë 21 milion euro kjo është blere më pak se vlera e një garzonjere të shitur në atë zonë”.
Balla akuzon ish-kryeministrin, ish-ministrin të Mbrojtjes dhe anëtarë të tjerë të qeverisë së Berishës si përfitues. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po e heton çështjen e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’ për pastrim parash.