Vendosni fjalën kyçe....

Pas urdhrit të Putinit për mobilizim, rritet çmimi i fluturimeve për t’u larguar nga Rusia, biletat drejt Armenisë e Turqisë shiten të gjitha


Biletat e fluturimit nga Rusia në vende të tjera po shiten me shpejtësi dhe çmimet e tyre janë rritur, menjëherë pasi Presidenti Vladimir Putin urdhëroi thirrjen e 300 mijë rezervistëve në luftën me Ukrainën.

Njoftimi i Putinit i bërë në një fjalim televiziv herët në mëngjes, ngjalli frikën se disa burra në moshë për të luftuar nuk do të lejoheshin më të largoheshin nga vendi.

Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se thirrja do të kufizohet vetëm tek ata me përvojë si ushtarë profesionistë dhe se studentët dhe rekrutët nuk do të thirren.

Kremlini nuk pranoi të komentonte nëse kufijtë do të mbylleshin për ata që i nënshtrohen urdhrit të mobilizimit dhe u kërkoi njerëzve të jenë të durueshëm ndërsa sqarohej ligji.

Ndërkohë, siç shkruan Reuters, të dhënat e Google Trends treguan një rritje të kërkimeve për Aviasales, faqja më e njohur e rezervimit të fluturimeve në Rusi.

Sipas të dhënave të Aviasales, fluturimet direkte nga Moska në Stamboll (Turqi) dhe Jerevani (Armeni), të dyja destinacione që i lejojnë rusët të hyjnë pa vizë, u shitën të mërkurën.

Fluturimet nga Moska në Stamboll nëpërmjet Turkish Airlines ose ishin të rezervuara ose të padisponueshme deri të dielën.

Disa rrugë me ndalesa, duke përfshirë ato nga Moska në Tbilisi, kryeqyteti i Gjeorgjisë, ishin gjithashtu të padisponueshme, ndërsa fluturimet më të lira për në Dubai kushtonin më shumë se 300 mijë rubla (5 mijë dollarë) – rreth pesëfishi i pagës mesatare mujore.

Tarifat tipike me një drejtim për në Turqi arritën në pothuajse 70 mijë rubla (1 mijë e 150 dollarë), krahasuar me pak më shumë se 22 mijë rubla që ishin një javë më parë, tregojnë të dhënat e Google Flights. Kreu i agjencisë ruse të turizmit tha se deri më tani nuk janë vendosur kufizime për udhëtimet jashtë vendit. Aeroflot, linja ajrore e vendit, tha se nuk po i kufizonte shitjet e biletave.