Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet organizatori pas skandalit të korrupsionit të marinës amerikane në Azi


Leonard Glenn Francis, i njohur gjithashtu si ‘Leonardi i shëndoshë’ – organizatori i një prej skandaleve më të mëdha të korrupsionit të marinës amerikane në histori – është arrestuar nga autoritetet venezueliane, njoftuan të mërkurën autoritetet amerikane.

Ai u kap në aeroportin e Karakasit të martën teksa po përpiqej të hipte në një fluturim për në Rusi, sipas Interpol Venezuelës.

Biznesmeni malajzian ishte në arrati nga autoritetet amerikane që kur i shpëtoi arrestit shtëpiak më 4 shtator duke prerë byzylykun e kyçit të këmbës me GPS dhe duke u larguar nga shtëpia e tij në San Diego, Kaliforni.

Ai do dilte para një gjykate më 22 shtator për t’u përballur me dënimin për krimet e tij. Ai akuzohet se u dha ryshfet dhjetëra oficerëve të marinës amerikane gjatë disa dekadave.

‘Leonardi i shëndoëshë’ u arrestua në vitin 2013 dhe në vitin 2015 u deklarua fajtor për ofrimin e shërbimeve të prostitucionit, hoteleve luksoze, purove dhe mbi 500,000 dollarë ryshfet për zyrtarët e lartë të Marinës.

Në këmbim, komanda e Marinës ra dakord të ankoronte anijet e saj në portet që i përkisnin atij në të gjithë Azinë, duke përfshirë Singaporin, Tokion, Bangkokun dhe Manilën. Atje, kompania e tij, e quajtur ‘Glenn Defense Marine Asia’, i ngarkoi Marinës tarifa zhvatëse për karburant, ushqim dhe siguri. Prokurorët thonë se biznesmeni e ‘gjobiti’ Marinën me të paktën 35 milionë dollarë për shërbimet që u froi anijeve të tyre.

Pas arrestimit, Francis bashkëpunoi ngushtë me prokurorët që hetonin skemën e korrupsionit dhe dha emrat e të gjithë zyrtarëve të Marinës me të cilët kishte pasur marrëdhënie gjatë viteve.

Si rezultat, dhjetëra oficerë të marinës amerikane janë përfshirë në skemë dhe prokurorët kanë siguruar dënime për 33 nga 34 të pandehurit.

Katër oficerë janë dënuar deri më tani në lidhje me skandalin, ndërsa 29 persona të tjerë, përfshirë zyrtarë të lartë të marinës dhe kontraktorë, janë deklaruar fajtorë për marrjen e ryshfetit.