Ish kryetari i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se nëse ai do të vijë në pushtet, që në muajin e parë do të heqë taksën e rrugës së Kombit.
“Një nga vendimet e para do të jetë heqja e taksës antikombëtare të Rrugës së Kombit. Edi Rama e vendosi atë taksë për të shprehur urrejtjen e tij ndaj ndërtimit të asaj rruge. Ai dërgoi grupin e tij për të bllokuar hapjen e tunelit të Kalimashit. Taksa dhe trau do të hiqen muajt e parë, në vendimet e para të PD-së.”– tha Berisha.
Më pas ai u ndal edhe tek ndërtimi i HEC-it të Skavicës, duke u bërë thirrje qytetarëve të Dibrës që të mos e lejojnë atë. Pasi sipas tij ky projekt zhduk 40 fshatra të luginës së Drinit.
“Institucionet e këtij vendi janë në dorë të një njeriu. Shqipëria është diktaturë e një partie. Çdo pushtet në këtë vend, buron nga PS. Kështu që ideja e kundërshtimit institucional të Skavicës është për fat të keq, fiktive. Kundërshtimi i vetëm është popullor. Qytetarët e Dibrës dhe mbarë shqiptarët, nuk duhet të lejojnë Edi Ramën që të zhdukën 40 fshatra të luginës së Drinit, pjesës më pjellore të Dibrës. Këtu mbetet një mobilizim popullor që asnjë kompani mund të mendojë se mund të ndëshkojë Dibrën me projekte të Enver Hoxhës, të zbatuar nga pasardhësi i tij, Edi Rama.”– u shpreh ai.
Mes të tjerash, ai pranoi dhe gabimin më të pafalshëm që sipas tij ka bërë PD në histori. Kjo që nuk thirri protesta për rrëzimin e Ramës pas zgjedhjeve të vjedhura sipas tij të Prillit të 2021-shit.
“Revolta popullore ndaj këtij regjimi që nuk ka legjimitet është rruga kryesor për ta gjunjëzuar atë.
Gabimi më i pafalshëm historik i PD-së është bërë më 27 prill 2021, kur pas atyre zgjedhjeve të dhunuara masivisht, kreu i saj dhe udhëheqja nuk thirri protesta për rrëzimin e Edi Ramës, por futi pasi ishte marrë peng nga Edi Rama, futi PD-në në një spirale shkatërrimtare, nga e cila u desh shumë kohë për të dalë.”- tha Berisha.