Vendosni fjalën kyçe....

Nxënëset e ‘Mehmet Akif’ i drejtohen kryeministrisë, Rama: Ministria e Arsimit ka zbatuar ligjin si në rastet e tjera


Kryeministri Rama u është përgjigjur nxënësve të shkollës ‘Mehmet Akif Ersoy’, prindërve të tyre e përfaqësuesve të shkollës që po marshojnë drejt zyrës së tij për një protestë.

Ai shkruan në Twitter se ato duhet të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e çuan aktivitetin në një tjetër vend pa marre leje. Rama shkruan se Ministria e Arsimit ka zbatuar ligjin njësoj si në rastet e tjera.

“Nxënëset e shkollës së mbyllur të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje sipas ligjit e pa respektuar rregullat e parashikuara ligjërisht! Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbatuar ligjin si në raste të tjera.” – shkruan Rama në Twitter.

Vendimi nga qeveria u mor në mbledhjen e fundit të saj. Një ditë më pas ministra Kushi shpjegoi se mbyllja kishte ardhur pasi shkolla kishte shitur godinën ku ishte licencuar për të ushtruar aktivitetin e ishte zhvendosur diku tjetër pa leje.

Ndërkohë përfaqësuesit e shkollës ‘Mehmet Akif’ kanë pohuar se do e ndjekin në rrugë ligjore çështjen. Përveç shkollës, qeveria ka mbyllur edhe kopshtin ‘Turgut Ozal’. Ata janë shprehur se janë në rregull me të gjitha detyrimet e kërkuara nga shteti e kanë paralajmëruar proces gjyqësor.