Grupi negociator për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ka nisur negociatat për grupin e kapitujve themelorë, me në fokus Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.
Siç bën me dije Ministria e Drejtësisë përmes një njoftimi, në takimin e sotëm u diskutua për legjislacionin e Bashkimit Evropian lidhur me gjyqësorin.
“Shqipëria nis negociatat për grupin e kapitujve themelorë, në fokus Kapitulli 23 ‘Gjyqësori dhe të drejtat themelore’.
Shqipëria pas hapjes së negociatave në korrik, ka nisur negocimin e çdo kapitulli, me më të rendësishmin, Kapitullin 23 ‘Gjyqësori dhe të drejtat themelore’, puna për koordinimin e të cilit është në përgjegjësinë e Minisitrisë së Drejtësisë.
Grupi negociator shqiptar kryesohet nga Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka.
Në përbërje të tij është zv/Ministrja e Drejtësisë dhe negociatorja për kapitullin 23 znj. Adea Pirdeni, përfaqësues të KLGJ, KLP, BKH, PP, ILD, KQZ, etj.
Takimi i sotëm u fokusua ndër të tjera në shpjegimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian lidhur me gjyqësorin, direktivën 2019/1937 për mbrojtjen e personave që raportojnë shkelje të së drejtës së Bashkimit Evropian, mbrojtjen e të drejtave të njeriut përfshirë, mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, romët, barazinë gjinore, personat me aftësi të kufizuara, të drejtat procedurale, të drejtat e viktimave të krimit, lirinë e medias dhe pluralizmin, mbrojtjen e të dhënave personale, e drejta e qytatarëve të Bashkimit Evropian (e drejta e votës, e drejta e lëvizjes së lirë në BE si dhe mbrojtja diplomatike dhe konsullore), si dhe për skemat e shtetësisë së investitorëve.”– thuhet në njoftim.