Vendosni fjalën kyçe....

Për herë të parë në 700 vjet, del në shitje prona e rrallë në Angli


Një pasuri e madhe dhe e lashtë në fshatin e Mbretërisë së Bashkuar me lidhje me familjen mbretërore dhe një histori që shtrihet deri në Anglinë mesjetare ka dalë në treg për 30 milionë stërlina (32 milionë dollarë amerikanë).

Historia e Adlington Hall, në Cheshire, është aq e pasur sa do të duhet të jetë pronari i saj i ardhshëm, me origjinë që mund të gjurmohet në kohët saksone. Shtëpia u mbajt nga Norman Earls për shtatë breza deri në vitin 1221, kur kaloi nën kurorë.

Nga ana tjetër, Henri III, i cili mbretëroi nga 1216 deri në 1272, ia kaloi një feudal të quajtur Hugh de Corona, dhe kur një nga mbesat e tij u martua me John de Legh of Booth, pasuria u bë shtëpia stërgjyshore e familjes Legh dhe ka mbetur e tillë deri më sot, sipas një njoftimi për lajmet nga ‘Savills dhe Mark Wiggin Estate Agents’, dy agjenci të pasurive të patundshme.

“Nuk ndodh shpesh që mund të thuash se një shtëpi ose pasuri nuk ka qenë në shitje për më shumë se 700 vjet.” – tha Mark Ëiggin nga ‘Mark Wiggin Estate Agents’ në njoftim.

“Kjo në vetvete tregon se sa i jashtëzakonshëm është Adlington. Ne të gjithë shpresojmë se mund të gjejmë dikë që vlerëson historinë dhe mundësitë që pasuria ka dhe vazhdon të ofrojë.”

Adlington Hall ndodhet në qendër të pronës së saj prej gati 2,000 hektarësh dhe çuditërisht, duke pasur parasysh moshën e saj, është renditur Grada I, më e rralla nga emërtimet historike të Anglisë dhe ajo që e shënon atë si një ndërtesë me interes ‘të jashtëzakonshëm’ arkitekturor dhe historik.

Shtëpia është zgjeruar e rinovuar gjatë shekujve dhe siç qëndron tani, ka një fasadë të veçantë Tudor në lindje dhe një pamje ballore të stilit Georgian në jug. Salla e Madhe e saj u shtua midis viteve 1480 dhe 1505; disa punë restauruese ishin të nevojshme pas dy rrethimeve gjatë Luftës Civile Angleze; dhe u zgjerua në mesin e viteve 1700.

Brenda, shtëpia është madhështore, me dhoma të veshura me dru, gdhendje të ndërlikuara dhe murale të mëdha. Ka edhe oxhaqe imponuese druri, dysheme guri dhe tavane të larta.

Jashtë, ka 27 prona banimi të shpërndara në të gjithë pasurinë, si dhe ferma të shumta dhe qindra hektarë tokë pyjore.

“Adlington Hall Estate ka një histori të pasur dhe të larmishme dhe pasuria është zhvilluar me kalimin e kohës.” – tha Alex Lawson, kreu i agjencisë rurale në Savills, në njoftimin për shtyp.

Pasuria, prodhon të ardhura vjetore prej 430,000 stërlinash, shumica e të cilave vijnë nga marrja me qira e përbërësve të saj rezidencialë, tregtarë e bujqësorë, thuhet në njoftim.