Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi pas padisë së Kushit për tezat e maturës: Duan t’u mbyllin gojën shqiptarëve e opozitës, koha i dha të drejtë mësueses


Deputetja e PD-së Albana Vokshi tha pas daljes nga gjykata, ku u paraqit pas një padie nga ministrja e Arsimit Kushi për daljen e tezave të maturës, se koha i dha të drejtë mësueses që bëri denoncimin.

Demokratja theksoi se socialistët kërkojnë t’u mbyllin gojën deputetëve të opozitës ndërsa shtoi se nuk do tërhiqet dhe se do vijojë të denoncojë korrupsionin e qeverisë Rama dhe se do jetë në krah të mësuesve, prindërve e nxënësve.

“Ishte seanca e parë që shqyrtoheshin provat që kishte sjellë përfaqësuesi i Kushit, e cila edhe sot nuk u paraqit. Unë kam vendosur të vij personalisht në respekt të kohës dhe financave që po vënë në dispozicion kjo gjykatë për një çështje politike, për të mbyllur gojën time dhe të kolegëve të opozitës.

U vërtetua që koha i ka dhënë të drejtë mësueses që ka denoncuar skandalin e daljes së tezave. Kishte vetëm disa shkrime që kishin publikuar statusin pas denoncimit që ka bërë mësuesja. Paraqita provat e mia, mesazhin që më ka ardhur nga një mësuese  nga Elbasani, dhe vetëm fjalia e parë e këtij sms, ‘dua të denoncoj një skandal, por mos më nxirrni emrin se më heqin nga puna’, të bën të mendosh dhe kuptosh që mësuesit sot nuk flasin dot dhe janë të kërcënuar dhe gjejnë mënyrën për të denoncuar një skandal, në rastin konkret tek unë. E kam bërë publik duke iu referuar edhe në statusin tim, tekstit të mësueses. Ministrja në vend që të krijonte grup pune dhe të hetonte dhe të vinte para përgjegjësisë ata që kishin nxjerrë testet, më paditi në gjykatë. Nuk është padia e parë për mua, është padia e gjashtë. Më ka paditur Rama, Balla, sepse kam denoncuar korrupsione. Kjo është një mënyrë për opozitën që të mbyllin gojën, por e kanë të kotë sepse do vazhdoj të jem në krah të mësuesve, prindërve, nxënësve sepse situata tani në arsim është ulëritëse.” – tha ajo.