Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Florian Lamçes/ Apeli vendos 15 vite burg për dhëndrin e ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini


Gjykata e Apelit të Durrësit e ka dënuar me 15 vite burg Sokol Sanxhaktarin, dhëndrin e ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.

Me këtë vendim, atij i ulet me tre vite dënimi me burg, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Elbasanit e dënoi fillimisht me 18 vite burg.

Sokol Sanxhaktari akuzohet për vrasjen e shokut të tij të ngushtë Florian Lamçe.

Me tetë vite burg është dënuar bashkëpunëtori i tij Adriano Hajdari. Të dy përfitojnë ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht, Sanxhaktari do të vuajë vetëm 10 vite nga dënimi i marrë, kurse Hajdari do të qëndrojë pas hekurave 5 vite e 4 muaj.

Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet dhëndri i ish-kryebashkiakut Sejdini ka ndodhur më 30 korrik të vitit 2020, në orën 4 të mëngjesit në një lokal në Elbasan.

Atë mbrëmje, Sanxhaktari, Lamçe e Hajdari po festonin të tre në një lokal ku po konsumonin alkool e lëndë narkotike. Por, në një moment nisën të debatonin dhe kanë nisur të hedhin shishet e birrës e karrige kundër njëri-tjetrit. Si pasojë, njëri prej tyre, Florian Lamçja ka humbur jetën.