Vendosni fjalën kyçe....

Investitori miliarder kritikon qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar


Kabineti i ri i Mbretërisë së Bashkuar po funksionon si qeveria e një vendi në zhvillim, shkroi në Tëitter të martën investitori miliarder dhe themeluesi i ‘Bridgewater Associates’ Ray Dalio.

Ai kritikoi planin e ri të shpenzimeve të Britanisë për shkurtimet e saj agresive të taksave që mund të rrisin borxhet e vendit në një nivel të paqëndrueshëm dhe të gjymtojnë stërlinën.

“Investitorë dhe politikëbërës: Merrni parasysh mësimin e gabimit fiskal të Mbretërisë së Bashkuar.” – shkroi Dalio në një postim në Twitter.

“Shitja në panik që po shihni tani që po çon në rënien e bonove, monedhës dhe aseteve financiare në Mbretërinë e Bashkuar është për shkak të pranimit se oferta e madhe e borxhit që do të duhet të shitet nga qeveria është shumë e tepërt për kërkesën.”

Sipas Dalios, rritja e shpejtë e borxhit, së bashku me mungesën e kërkesës për paundin britanik në skenën globale, është një recetë për katastrofë.

“Kjo i bën njerëzit të duan të dalin nga borxhi dhe monedha. Nuk mund ta kuptoj se si ata që ishin pas kësaj lëvizjeje nuk e kuptuan këtë. Kjo sugjeron paaftësinë.” – shkruan Dalio.

“Mekanikisht, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po funksionon si qeveria e një vendi në zhvillim, ajo po prodhon shumë borxhe në një monedhë për të cilën nuk ka një kërkesë të madhe botërore.” – shtoi ai.

Javën e kaluar, kryeministrja britanike Liz Truss dhe kancelari i Thesarit Kwasi Kwarteng shpalosën një plan të ri shpenzimesh, i projektuar për të nxitur rritjen ekonomike të vendit dhe për të ndihmuar në zbutjen e efekteve të rritjes së çmimeve të energjisë në afat të shkurtër.

Pas njoftimit, stërlina u ul në një rekord të ulët kundrejt dollarit amerikan të hënën, ndërsa tregu i bonove në Mbretërinë e Bashkuar përjetoi shitjen më të madhe njëditore në historinë e tij.

Sipas Deutsche Bank, plani i ri i shpenzimeve do shtyjë raportin e borxhit ndaj PBB-së së Mbretërisë së Bashkuar në rreth 101%, që është niveli më i lartë i borxhit që vendi ka mbajtur që nga viti 1962.