Vendosni fjalën kyçe....

Tenderi 4.7 milionë euro, FSHZH: Parku Multifunksional do të ngrihet në Lundër


Parku Multifunksional që është në fazë prokurimi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një fond limit 4.7 milionë euro do të ngrihet në zonën e Lundrës në Tiranë.

Në përgjigje të kërkesës për informim që revista “Monitor” i drejtori Fondit mbi vendin e projektit, ky i fundit sqaron se programi “Investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit” fillon me lotin e parë që është ai i parkut por investimet do të vijojë edhe në bashki të tjera.

Në to synohet të rijetëzohen asete publike që aktualisht janë jashtë funksionit apo në gjendje të degraduar.

Lidhur me parkun Multifunksional në dokumentet  e tenderit kuptohet si pjesë e projektit janë parashikuar ambiente të dedikuara sportive dhe rekreative.

Kjo kuptohet nga plotësimi që kërkohet me bazë materiale si lisharës, lojë vertikale ekuilibri, lojë e kombinuar për kacavjerrje, lojë peme basketbolli, lojë paralele, rrëshqitje, tavolinë ping-pongu, lojë me konstruksion druri, elementë plastikë të montuar me vida për ngjitjen në murin e betonit, rrjetë me litarë të kuq mbrapa murit me ngjitje.

Fondi është treguar i kufizuar në dhënien e detajeve mbi kontratën duke e justifikuar këtë me argumentin e garantimit të konkurrëncës në procedurë dhe trajtimit të barabartë të operatorëve pavarësisht se transparenca në vetvete i shërben konkurrencës.

Përgjigja e plotë e FSHZH

“FSHZH ka hapur më datë 15.09.2022 procedurën tenderuese me numër reference REF-41736-09-14-2022 dhe objekt “Investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit, Loti 1 “Parku Multifunksional”, Tiranë”.

Kjo ndërhyrje është pjesë e programit të zhvillimit rajonal të përfshirë në Programin Operacional 2022-2024 të FSHZH-së, program i cili ndër të tjera ka si objektiv edhe ri jetësimin e aseteve publike të pashfrytëzuara apo të degraduara në territoret urbane dhe rurale të bashkive. Kjo ndërhyrje është në vazhdën e disa ndërhyrjeve të parashikuara në disa bashki të vendit dhe konkretisht fokusohet në disa asete të pashfrytëzuara apo të degraduara në zonën e Lundrës, Tiranë.

Investimet e parashikuara për këto ndërhyrje, përveç rivitalizimit të aseteve publike dhe përmirësimit të funksioneve aktuale të këtyre aseteve, parashikon edhe zhvillimin e funksioneve të tjera të cilat bëjnë të mundur vënien e këtyre hapësirave multifuksionale në shërbim të komunitetit duke nxitur frymën komunitare dhe rikthyer ndërveprimin social dhe jetën e shëndetshme në nivel rajonal dhe lokal.

Kjo procedurë prokurimi është shpallur, bazuar në nenin 43 të Ligjit nr. 162/2020 për Prokurimin Publik dhe nenin 48 të VKM nr. 285, datë 19.5.2021, “Për miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”, si procedurë e kufizuar. Në bazë të përcaktimeve të mësipërme, procedura e kufizuar është procedurë me dy faza, në të cilën mund të marrë pjesë çdo operator ekonomik i interesuar, duke dorëzuar një kërkesë për pjesëmarrje në përgjigje të një njoftimi, i cili përmban informacionin e përcaktuar në rregullat e prokurimit publik.

Bazuar në aktet ligjore të sipërpërmendura si dhe në eksperiencën ndërkombëtare për prokurimin publik, për këtë procedurë prokurimi, gjatë fazës së parë (faza e parakualifikimit), Autoriteti Kontraktor, vlerëson përshtatshmërinë, kualifikimet dhe aftësitë e një aplikanti për të punuar apo zbatuar një projekt përpara se t’i ftojë ata të dorëzojnë një ofertë. Ky ushtrim ndikon në rritjen e efikasitetit dhe reduktimin e kohës së prokurimit, siguron që vetëm aplikantët që plotësojnë kërkesat e projektit (duke përfshirë përvojën dhe aftësinë) të ftohen të dorëzojnë oferta, duke lejuar në të njëjtën kohë konkurrencë të shëndetshme dhe duke siguruar gjithashtu se projekti do të zbatohet me cilësinë e duhur.

Pas përfundimit të fazës së parakualifikimit, në bazë të përcaktimeve ligjore dhe atyre të dokumenteve të tenderit, Autoriteti Kontraktor në momentin që plotëson të gjithë dokumentacionin e nevojshëm teknik mund të kërkojë paraqitjen e një ofertë teknike dhe financiare nga operatorët ekonomik të kualifikuar.

Për sa më sipër, sqarojmë se dokumentet e tenderit dhe relacionet shoqëruese për këtë procedurë prokurimi janë publike dhe mund t’i gjeni në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik (http://app.gov.al/njoftimi-i-kontrat%C3%ABs-s%C3%AB-shpallur/) , ku në Shtojcën 8 të DST “Grafiku i Zbatimit të Punimeve“, saktësohet shprehimisht se: “Projekti dhe grafiku i punimeve do të dërgohet në fazën e dytë mbas fazës së parakualifikimit së bashku me ftesën për ofertë.”

Në këtë kuadër, për respektimin e parimeve të moscënimit të barazisë, konkurrencës ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe sigurimit të një trajtimi të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë, pjesëmarrës në procedurat e prokurimit publik, Autoriteti Kontraktor nuk mund të tejkalojë limitet për dhënien e informacionit përveç atij të publikuar në APP, sikurse më lart shpjeguar.” – thuhet në dokument.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor