Vendosni fjalën kyçe....

Kim: Shqipëria ka reputacion të keq në pastrimin e parave, amnistia fiskale duhet të godasë paratë e pista


Ambasadorja e SHBAv-e, Yuri Kim e konsideroi problem të madh korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri si dhe pastrimin e parave.

Ajo tha se Shqipëria ka një reputacion të keq në këtë drejtim madje është në listën gri të Task Forcës për Veprim Financiar.

Sipas saj udhëheqësit duhet të bëjnë zgjedhjen se kush do e marrë në dorë këtë vend, njerëzit e thjeshtë apo kriminelët.

Mendoj se Shqipëria ka një reputacion të keq. Mendoj se këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri është i njohur. Ato shprehen në raporte të ndryshme që nxjerrim çdo vit. Dhe, fatkeqësisht, ato pasqyrohen gjithashtu edhe në faktin që Shqipëria është në listën gri të të Task Forcës për Veprim Financiar. Ky është institucioni evropian i cili shqyrton praktikat financiare në mbarë botën. Dhe ata përdorin terma si mungesë strategjie për të përshkruar mekanizmat e Shqipërisë kundër pastrimit të parave. Prandaj është shumë e rëndësishme. E di, në fillim të intervistës sonë, unë fola mbi zgjedhjen që duhet të bënte Shqipëria, për zgjedhjen që duhet të bënin udhëheqësit shqiptarë. Duhet ta bëni këtë zgjedhje tani. Duhet të zgjidhni kush e ka në dorë këtë vend. Do ta kenë njerëzit e zakonshëm? Do ta kenë kriminelët? Kush do të ketë në pronësi tokën tuaj, të gjithë ato hotele dhe kush do të marrë përfitimet?”-deklaroi Kim.

Më tej Ambasadorja e konsideroi argumentin se me para të pista janë ndërtuar edhe Londra e Nju Jorku si të tmerrshëm.

Është argument, por është një argument i tmerrshëm. Nëse do të shkonit në atë drejtim, do të vinit në rrezik anëtarësimin e Shqipërisë dhe kandidimin për të qenë anëtare e BE-së. Dhe ky është një vend që do të përfitojë jashtëzakonisht shumë nga të qenurit pjesë e BE-së. Por duhet të bëhet edhe një vend që do të japë shumë dhe do të kontribuojë në begatinë dhe sigurinë e Bashkimit Europian. Nuk mund të jetë vetëm merr, merr, merr”-tha Kim

Ajo theksoi se SHBA e ka shprehur qartë mendimin që ka për aministinë fiskale ndërsa nuk u prononcua për versionin më të fundit të projektligjit për të duke thënë se nuk e ka parë akoma.

Mendimi ynë për mekanizma si amnistia fiskale dhe hapat që Shqipëria duhet të ndërmarrë për të luftuar pastrimin e parave është shumë i qartë dhe shumë i njohur. E kemi diskutuar këtë në publik, privatisht, është përfshirë në raportet tona, nuk ka asnjë surprizë kur vjen puna tek mendimi i Shteteve të Bashkuara mbi këto çështje. Nuk e kam parë versionin e fundit të  amnistisë fiskale por le ta shohim”-theksoi Ambasadorja.