Kryeministri Edi Rama foli për pastrimin e zonave bregdetare në Forumin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonomisë Qarkulluese.
Ai përmendi kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, duke vlerësuar punën e tij për pastrimin e bregdetit, pavarësisht ngjarjeve të fundit ku Himara ka qenë në kryeqendër të lajmeve pas tragjisë së ndodhur në bregdet këtë verë.
“Ajo që vlen të përsëritet si fakt është që kur ne e nisëm këtë rrugëtim në Shqipëri, 50% e mbetjeve mbeteshin rrugëve. I merrnin ujërat, digjeshin në fusha shumë pranë zonave të banuara dhe faktikisht banorët e Kombinatit në Tiranë, banorët e Elbasanit apo banorët e Fierit ku sot situata është absolutisht tjetër, besoj e kujtojnë akoma se çfarë ndodhte në zonat e tyre me malet e plehrave që sillnin në çdo dritare ajrin e ndotur dhe toksik të fund ditës. Pa diskutim banorët e Durrësit e kujtojnë, por për fat të keq ka mbetur dhe në mendjen e shumë njerëzve jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë fushën e mbushur me vargmale plehrash në natyrë, në Porto Romano, e cila sot është kthyer në një zonë rekreative dhe në një parqet më të mëdha urbane të Shqipërisë.
Nëse 50% e plehrave mbeteshin rrugëve dhe ktheheshin në lëndë toksike mbi tokë, sot ne jemi në 90% të grumbullimit të tyre dhe kemi akoma një sasi relativisht të vogël që mbetet e pagrumbulluar, por që sidoqoftë duhet trajtuar si problem i madh.
Gjatë këtij viti është bërë një punë e jashtëzakonshme që është kurorëzuar me sezonin më shembullor turistik për sa i përket pastrimit përmes rikonceptimit të marrëdhënieve mes qeverisë dhe bashkive bregdetare, por edhe falë angazhimit shumë serioz të kryetarëve të bashkive.
Dua të përmend Himarën, nuk e shoh kryetarin e bashkisë së Himarës, ka rëndësi se dua të përmend si histori suksesi dhe nuk do të çuditesha fare të mos ishte këtu sepse ka qenë gjithmonë prezent kur ka ngrënë dru publikisht, por shembulli i Himarës është një shembull i jashtëzakonshëm. I një zgjimi të befasishëm nga gjumi i kryetarit të bashkisë dhe i një pune që është pasqyrë për t’u marrë shembull nga të gjithë tanimë që tregon se sa e rëndësishme është kjo marrëdhënie dhe që secili të bëjë punën e vet.”– tha Rama.