Vendosni fjalën kyçe....

“Babai i saj ka qenë i dënuar për trafik droge”- Giorgia Meloni bën gati padinë e parë ndaj një gazetareje pa marrë ende detyrën


Në një kohë kur ende zyrtarisht nuk ka marrë detyrën si kryeministre, fituesja e zgjedhjeve në Itali Giorgia Meloni ka bërë gati padinë e parë për një gazetare.

Kjo për shkak të një postimi të gazetares së “La Repubblica”, Rula Jebreal për shpifje. Kjo pasi gazetarja e kishte sulmuar Melonin, duke përdorur një histori të babait të saj.

Kryeministrja e ardhshme ka njoftuar përmes një statusi se do e padiste gazetaren për shpifje.

 “Takti i shtypit italian që tregon për hallet e babait tim, që në titujt e tij nënçmues nuk ka një element themelor.
Të gjithë e dinë se babai im vdiq u largua kur unë isha pak më shumë se një vjeç.
Të gjithë e dinë që zgjodha të mos e shoh më në moshën njëmbëdhjetëvjeçare.
Të gjithë e dinë se nuk kam pasur më kontakte me të derisa ai vdiq. Mesa duket ndër shumë gjëra që nuk vlejnë për mua është edhe thënia ‘mëkatet e babait nuk bien mbi fëmijët’.
Ps. Zonja Jebreal, shpresoj se do të jeni në gjendje t’i shpjegoni gjyqtarit se kur dhe ku e kam bërë deklaratën që më atribuoni.”- shkruan Meloni në një postim në rrjetet sociale.

Por çfarë ka shkruar gazetarja? Rula Jebreal, me origjinë palestineze por me nënshtetësi izraelite dhe italiane, riktheu një artikull të qarkulluar vetëm së fundmi në rrjet, se: “Babai i Giorgia Melonit ka qenë i dënuar për trafik droge”.

“Gjatë fushatës së saj zgjedhore, Giorgia Meloni, kryeministrja e re italiane, promovoi një video përdhunimi në të cilën thuhet se azilkërkuesit janë kriminelë që duan të zëvendësojnë të krishterët e bardhë. Për ironi, babai i Melonit është një trafikant famëkeq droge / kriminel i dënuar që ka vuajtur dënimin në burg.”- shkruan Jebreal, duke bërë në këto pak rreshta një sërë pasaktësish. Për shembull, Meloni nuk është ende kryeministre. Dhe më pas, nëse gazetarja i referohet videos së Piacenza-s, nuk është e qartë se kur Meloni ka shprehur deklaratën që i atribuohet asaj.

Sa i përket historisë së babait të Melonit, ajo daton 27 vite më parë. Ishte viti 1995, kur në Spanjë Francesco Meloni u dënua me nëntë vjet burg për trafik droge në Kanarie. Në atë kohë, drejtuesja e Fratelli d’Italia sapo kishte mbushur moshën madhore dhe prej shtatë vjetësh i kishte prishur lidhjet me atë prind, i cili kur ishte rreth një vjeç e kishte braktisur duke e lënë vetëm me nënën e saj. Lajmi është rishfaqur këto ditë në shtypin spanjoll.