Një 34-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi i është kapur një sasi e dyshuar kanabisi.
Në pranga ka rënë i riu me iniciale L.B., banues në kryeqytet.
Gjatë kontrollit në mjetin tip ‘Seat’, të ish-Fusha e Aviacionit iu gjet një sasi lëndë narkoktike e dyshuar kanabis në formë çokollate e ndarë në pako.
Njoftimi
“Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Camel 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, në formë çokollate, vihet në pranga poseduesi. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Camel 2”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. B., 34 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të automjetit tip “Seat” me drejtues shtetasin L. B., te Ish-Fusha e Aviacionit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, në formë çokollate, të ndarë në pako. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”