Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi kanë reaguar për daljen e të dhënave nga grupi që sulmoi sistemin informatik të policisë.
Rama dhe Çuçi në reagime të veçuara thanë se lista e bërë publike nuk është databaza e sistemit Memex që përdoret nga policia kriminale.
Çuçi tha se ekspertët e Microsoft po bëjnë rikuperimin e të gjitha sistemeve. Ndrsa tha se po hetohet bashkë me FBI-në sulmi i ndodhur.
“Lista që është publikuar e them me garanci të plotë që nuk është databaza e sistemit Memex që ka policia kriminale. Ju e dini që na kanë sulmuar. Jemi në hetim, kemi një trupë shumë të mirë nga Microsoft që do rrinë këtu përgjatë. Sistemet do rikuperohen të gjitha. Kemi rikuperuar shumë sisteme në kohë rekord. Ka pasur edhe spekulime. Lista që është publikuar sot nuk është pjesë e databazës së sistemit Memex. Po hetojmë bashkë me FBI”-tha Çuçi teksa hynte në seancën plenare në Kuvend.
Ndërsa kryeministri Edi Rama nga Kuvendi përveçse mohoi që lista të ketë lidhje me sistemin MEMEX, sulmoi edhe median.
“Falë kësaj fuqie në tubacion llumi, mund të bëjë hajgare çdo gallataxhi se ngriheni në këmbë se cilat janë lidhjet me krimet duke bërë fotomontazhe, ajo që ka dalë nuk është MEMEX”, tha kreu i qeverisë në Kuvend.