Ministri i Jashtëm polak Zbigniew Rau nënshkroi një notë diplomatike drejtuar Gjermanisë të hënën që finalizon kërkesat për dëmshpërblim për dëmet nga pushtimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Varshava po kërkon 1.2 trilion dollarë, por kërkesa është hedhur poshtë kategorikisht nga Berlini.
Rau tha se dy vendet duhet të ndërmarrin ‘hapa të menjëhershëm drejt një zgjidhjeje të përhershme, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare ligjore dhe materiale për çështjen e pasojave të agresionit dhe pushtimit gjerman në 1939-1945’. Ai shtoi se masat do mbyllin kapitujt e dhimbshëm të historisë dhe do ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
“Kjo është një ditë historike për të gjithë Poloninë, një ëndërr e brezave të qytetarëve polakë që vdiqën me një ndjenjë padrejtësie.” – tha Arkadiusz Mularczyk, një deputet i parlamentit të Polonisë që drejtoi ekipin që paraqiti një raport mbi humbjet e vendit në luftë.
Seijm, dhoma e ulët e parlamentit polak, votoi në shtator për të kërkuar 1.2 trilion dollarë dëmshpërblim nga Berlini. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Lukasz Jasina u tha gazetarëve se Rau do e ngrejë çështjen e reparacioneve me homologen e tij gjermane Annalena Baerbock gjatë vizitës së saj në Varshavë të martën.
Qeveria gjermane hodhi poshtë kërkesat për dëmshpërblim në atë kohë, duke argumentuar se Varshava hoqi dorë nga e drejta për to sipas një marrëveshjeje të vitit 1953 me Gjermaninë Lindore dhe se çështja u zgjidh përfundimisht sipas një traktati të vitit 1990 për ribashkimin e Gjermanisë, që u nënshkrua nga Gjermania Perëndimore dhe Lindore si dhe SHBA-ja, Bashkimi Sovjetik, Britania dhe Franca.
Polonia, ndërkohë, këmbëngul se heqja dorë nga viti 1953 u nënshkrua nën presionin e Moskës dhe se asaj iu ndalua pjesëmarrja në negociatat e vitit 1990.