Vendosni fjalën kyçe....

Pranga dy personave në Tiranë e Gjirokastër, u kapen dy pistoleta e një automatik pa leje


Dy persona janë arrestuar në Tiranë e Gjirokastër pasi janë kapur me armë pa leje. Në pranga ka rënë 38-vjeçari me iniciale A.P. banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit në mjetin e tij, u gjetën dy pistoleta pa leje, dy krehëra me fishekë si dhe municion luftarak.

Po kështu është arrestuar një 25-vjeçar me iniciale A.Ll. banues në Lazarat. Gjatë kontrollit në një mjedis të cilin e kishte në përdorim, u kap një armë zjarri automatik të cilën dyshohet se e kishte pa leje.

Njoftimi

“Operacioni, i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariati i Policisë Nr. 6.  Qarkullonte me armë zjarri në automjet, vihet në pranga 38-vjeçari. Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, 2 krehra dhe municion luftarak. Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në bulevardin “Migjeni”, një shtetas po qarkullonte me armë zjarri në automjet, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: – A. P., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjatë kontrollit në automjetin që po drejtonte ky shtetas, në bulevardin “Migjeni”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri pistoleta, 2 krehra dhe municion luftarak.”

Njoftimi

“Mbante armë zjarri, në ambientin që kishte në përdorim, vihet në pranga 25-vjeçari.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit automatik. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore se një shtetas mbante armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Sopoti”, si rezultat i të cilin u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ll., 25 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.

Ky shtetas u arrestua në flagrancë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një ambient që ai kishte në përdorim, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasit A. Ll. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.”