Vendosni fjalën kyçe....

Duma-socialistëve: U është bërë pushka top në korrupsion, pedagogët të nënvlerësuar


Deputetja e PD-së Grida Duma gjatë seancës së sotme parlamentare u ndal tek protesta e pedagogëve.

Gjatë fjalës së saj, Duma tha se Shqipëria ka pagën më të ulët të akademikëve dhe se universitetet sot nuk kanë marrëveshje që do t’u krijonin lehtësira financiare atyre që të kenë mundësi të bëjnë kërkime shkencore.

Deputetja ironizoi edhe satelitët, duke u shprehur se me ato 6 milionë dollarë mund të ishin bërë tre biblioteka të mira.

“Diskutoni sot për pagat e pedagogëve, Shqipëria është e fundit. Shikoni sa vende na lënë pas. Ata kërkojnë të shkojnë te niveli i Kosovës, sërish është pak. Pedagogët kanë ardhur nga Parisi dhe u është dashur 6 vite që të kërkojnë që të njihet PHD e Paris 8.

Pedagog është të ketë fond dhe të botojë në revista me faktor impakti. Të bësh këtë të paguan Universiteti. Shqipëria ka zero pagesa, por duhet të paguash për të botuar. Për të marrë pjesë në 5 konferenca paguan, shkon më shumë se dy muaj pagë. Ka pedagogë që kanë ardhur nga Franca dhe u është dashur 6 vite këtu që të kërkojnë njohjen e PHD e Paris 8. 6 milionë për të marrë dy UFO satelitë për të kap ndërtimet pa leje. Me 6 milionë së paku ishin bërë 3 biblioteka të mira për 3 universitete. Pedagogu sot po kërkon pagën që të mos emigrojë, që të jetojë.”– tha Duma.

Deputetja e PD-së Duma ironizoi socialistët në Kuvend teksa tha se ‘Nëna Shqipëri që i prin historisë me pushkë në dorë nuk do i linte ca djem nënash që t’u bëhej pushka top në korrupsion’. Ajo tha se qeverisja katastrofike e Edi Ramës ka detyruar shqiptarët të ikin nga vendi me ritme të frikshme.

“Muzeu Kombëtar i cili ka këtë ballinën dhe e shpjeguar është që në mes është Nëna Shqipëri që i prin historisë me pushkë në dorë. Sikur Nëna Shqipëri t’i printe historisë me pushkë në dorë pa asnjë dyshim që nuk do linte që bijtë e ca nënave t’i bëhej pushka top në korrupsion, duke bërë që bij nënash të degdiseshin atje ku qengji as e lë dhe as e gjen kopenë. Se këtu rilindasi i vërtetë Naim është diku në cep, por ballina që tregon historinë e Shqipërisë, është argumentuar në debate të ndryshme përfaqëson të shkuarën se Shqipëria në ballë duhet të ketë të shkuarën, jo të të tashme; kjo Naimin e ka në fund dhe është amnistuar se i është hequr ylli me 5 cepa, por i është lënë shalli i pionerit dhe ecën përpara Shqipëria.” – tha Duma.