Berlini kundërshton t’i paguajë Polonisë të tjera dëmshpërblime të Luftës së Dytë Botërore dhe e konsideron çështjen ‘të mbyllur’ në nivel qeveritar, i tha të martën ministrja e Jashtme Annalena Baerbock homologut të saj polak.
Duke folur në një konferencë shtypi pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Polonisë Zbignieë Rau në Varshavë, Baerbock tha se ajo e kupton se ‘kjo temë u intereson shumë njerëzve’ në Poloni, por theksoi se megjithëse Gjermania ‘ndihet përgjegjëse’, çështja e reparacioneve nga pikëpamja e qeverisë gjermane është ‘një çështje e mbyllur’.
Komentet e saj vijnë pasi Rau nënshkroi një notë diplomatike drejtuar Berlinit të hënën, duke kërkuar zyrtarisht mbi 1.2 trilion dollarë dëmshpërblim për dëmet materiale dhe të tjera dhe humbjet që Polonia pretendon se ka pësuar nga Gjermania naziste midis 1939 dhe 1945.
Diplomati polak ka këmbëngulur se të dy vendet duhet të ndërmarrin ‘hapa të menjëhershëm drejt një zgjidhjeje të përhershme, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare ligjore dhe materiale të çështjes’ në mënyrë që të ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Pas takimit të tij me Baerbock, Rau përsëriti se ‘shoqëria polake është ende e traumatizuar nga pushtimi gjerman i vitit 1939, i cili kufizon dhe pengon mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm dhe thellimit të marrëdhënieve polako-gjermane’.
Ai shtoi se Polonia ende beson se Gjermania mund të bindet të ndryshojë qëndrimin e saj për këtë çështje dhe se pozicioni i saj do përparojë përmes dialogut të mëtejshëm.