Një kompani e krijuar nga dy vëllezër në 2018 po riciklon mbi 3 milionë bishta cigaresh çdo ditë, duke i kthyer ato në prodhime të ndryshme.
Në vitin 2018, kur vëllezërit Naman dhe Vipul Gupta filluan të punonin mbi një ide për të ricikluar bishtat e cigareve, pak e dinin se në vitet e ardhshme do lavdëroheshin për shndërrimin e miliona prej tyre në produkte të përditshme.
Në katër vitet e fundit, 28-vjeçari Naman, i cili së bashku me vëllain e tij më të madh Vipul drejton një firmë të quajtur Code Effort në periferi të kryeqytetit të Indisë, Nju Delhi, thotë se ata kanë ricikluar mbi 300 milionë bishta cigaresh të mbledhura nga rrugët dhe i kanë transformuar ato në një sërë produktesh, duke përfshirë artikuj shkrimi dhe arredimi shtëpie si dhe lodra.
“E nisëm me tre qytete, New Delhi, Gurugram dhe Noida në vitin 2018. Fillimisht kemi filluar me 10-20 gramë mbeturina cigaresh në ditë. Katër vite më vonë kemi arritur mbi 1000 kg (1 ton) në ditë. Nëse flasim për bishta cigaresh janë 3.5 milionë në ditë.” – tha Naman për Anadolu Agency.
Ai tha se pasi bishtat e cigareve kanë ndikime të rrezikshme mjedisore, kompania po punon me tre qëllime në mendje.
“Së pari, bishtat e cigareve po dëmtojnë mjedisin. Duke i ricikluar, ne po ndihmojmë në shpëtimin e mjedisit.” – tha Naman, duke shtuar se ato po krijojnë gjithashtu mundësi punësimi për shumë njerëz që janë punonjës të firmës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vëren se India është konsumatori dhe prodhuesi i dytë më i madh në botë i duhanit, i cili është një nga ‘shkaqet kryesore të vdekjeve dhe sëmundjeve në Indi dhe përbën gati 1.35 milionë vdekje çdo vit’.
Sipas Naman, ata po riciklojnë çdo pjesë të një bishti cigareje, që ka tre përbërës: fibrën, letrën dhe duhanin.
“Nga duhani, ne e shndërrojmë atë në pluhur komposti. Letra shndërrohet në tul dhe kthehet në një spërkatës kundër mushkonjave që përdoret gjatë verës.” – tha ai.
“Kohët e fundit kemi hedhur në treg më shumë produkte. Ditarë, bllok shënimesh, zarfe dhe sende të tjera. Kemi filluar gjithashtu të nxjerrim në treg çanta mbajtëse, për të cilat po shohim një reagim të mirë të konsumatorëve.” – shtoi Naman.
Naman vuri në dukje se pjesa e tretë është fibra, e cila është një material i llojit pambuku dhe kalon nëpër procese të ndryshme që çon më pas në përdorimin e materialit në lodra të buta, jorganë, jastëkë e produkte të tjera.
Sipas zyrtarëve të firmës, çdokush mund të dalë vullnetar dhe të dërgojë ose dhurojë bishtat e cigareve për riciklim.
“Ne jemi të lidhur me më shumë se 2,000 mbledhës mbeturinash në gjithë Indinë për të mbledhur bishtat e cigareve.” – thotë kompania.
“Ne kemi krijuar një model biznesi ku bashkëpunëtorët, përmes një rrjeti prej më shumë se 250 distriktesh në Indi marrin para për furnizimet e tyre.”
Duke deklaruar se qëllimi i tyre i ardhshëm është tani të rrisin volumin e riciklimit të mbetjeve, Naman tha se ata planifikojnë të riciklojnë 300-400 ton në muaj deri në vitin 2025, që është rreth 5%-6% e totalit të bishtave të cigareve të hedhura çdo vit në Indi.
“Deri në vitin 2026, qëllimi ynë është të arrijmë objektivin e riciklimit të të paktën 35 miliardë bishta cigaresh.” – shtoi ai.