Vendosni fjalën kyçe....

“Të ndalojmë rrokullisjen e madhe, bëhuni pjesë e protestave të fuqishme” – Thirrja e Berishës për të rinjtë


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po zhvillon këtë të shtunë një takim me banorët e Libohovës, ku iu ka bërë thirrje të rinjve që t’u bashkohen protestave.

“Ka një kohë për çdo shqiptar që duhet t’i dalë zot vendit. Ne shohim se si po tretemi, po na ikin të rinjtë, po na ikën e ardhmja. Ndaj po e filloj me të rinjtë.

Në këtë betejë, ju bëj thirrje të dilni në krye të përpjekjes, qoftë për një fushatë elektorale model, por qoftë edhe për protestat më të fuqishme.

Ne kemi një detyrim të madh ndaj njëri-tjetrit, ndaj vendit, ndaj trashëgimisë tonë atdhetare, të ndalojmë këtë rrokullisje të madhe.

Energjia e të rinjve, angazhimi i të rinjve është vendimtar në këtë përpjekje.

Ndaj edhe ftoj forumin rinor, të rinjtë e Libohovës, Gjirokastrës dhe Shqipërisë, të bëjnë gjithçka për të bërë Shqipërinë kopshtin e ëndrrave të tyre të ardhme.

Por duhet të shpëtojnë nga ky regjim. U bëj thirrje grave dhe vajzave. Dëgjoj me interes shumë të madh zërin e tyre. Të cilat me guxim po denoncojnë në të gjitha takimet, qëndrimet çnjerëzore dhe antishqiptare të kësaj qeverie. Të vazhdojnë sepse zëri i tyre është zëri më bindës në shoqëri. Ata kanë argumente më shumë se kushdo për të bindur qytetarët që nuk janë shkëputur nga apatia, nuk janë shkëputur nga mashtrimi i kësaj qeverie. Kjo është një betejë jetike për të ardhmen tonë.

Ndaj dhe ju ftoj të bëjmë gjithçka për të tërhequr, për të bindur sa më shumë libohovitë, gjirokastrite, shqiptarë, që të mbështesin kauzën tonë të drejtë.

Ne kalojmë në një sistem demokratik, do jeni ju që do votoni kandidatin për kryetar bashkie në Libohovë dhe mbarë Shqipërinë. Fusim pluralitetin dhe do votojë anëtarësia dhe simpatizantët. Përpiquni që të nxirrni qytetarin më të mirë që përfaqëson interesat tuaja dhe ju garantoj se do ketë mbështetjen më të plotë.”– tha Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, vendi është në udhëkryq. Ai e akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka vendosur një sistem persekutimi ndaj shqiptarëve.

“Edi Rama ka vendosur një sistem persekutimi ndaj shqiptarëve. Nuk ekziston kund në Europë një sistem i tillë. Unë vij këtu dhe kam qenë jashtëzakonisht i prekur nga akti i një mësueseje, 30 vjet mësuese shembullore. U shërbeu fëmijëve tuaj, i shërbeu komunitetit tuaj dhe nxirret shtëpiake vetëm për motive politike.

Do u them një gjë: ne që kemi përjetuar diktaturën, për ata që i kishte armiq klase, i çonte në kampe përqendrimi, burgje, por një qëndrim të tillë ndaj një mësueseje 30 vite në detyrë, nuk e mbante kurrë. Nuk imagjinohej.

Ky është një skenar i turpshëm, një akt i turpshëm, që tregon krizën totale morale të këtij regjimi. Ti nuk mund të sillesh në atë mënyrë. Sigurisht, ose përcakton status, ose ndan ato orë siç janë. Por kjo nuk ndodhte në diktaturë. Nëse nuk ishte i klasifikuar armik klase, sistemohej në një ëmnyrë apo tjetër, por nuk flakej.

Kudo që shkoj, gjej qindra e qindra qytetarë të dënuar, intelektualë, profesionistë, të larguar për motive politike. Ky është një sistem persekutimi.”- tha ai.