Vendosni fjalën kyçe....

Xhama antiplumb, roje shtesë, zyrat zgjedhore në SHBA forcojnë sigurinë për votimet e 8 nëntorit


Kur votuesit në kontenë Jefferson, Kolorado, të hedhin votat e tyre në zgjedhjet afatmesme të 8 nëntorit, ata do shohin roje sigurie të vendosur jashtë qendrave më të ngarkuara të votimit.

Në një zyrë zgjedhore në Flagstaff, Arizona, votuesit do hasin xhami antiplumb dhe duhet të shtypin një sinjalizues për të hyrë. Në Tallahassee, Florida, punonjësit e zgjedhjeve do i numërojnë fletët e votimit në një ndërtesë që sapo është forcuar me mure të bëra nga fibra super e fortë Kevlar.

Të nxitur nga një n umër i madh kërcënimesh dhe sjellje frikësuese nga teoricienët e konspiracionit dhe të tjerët të mërzitur për humbjen e zgjedhjeve të vitit 2020 të ish-Presidentit Donald Trump, disa zyrtarë zgjedhorë në të gjithë Shtetet e Bashkuara po forcojnë operacionet e tyre para zgjedhjeve afatmesme.

Një sondazh i Reuters në 30 zyra zgjedhore zbuloi se 15 kanë rritur sigurinë në mënyra të ndryshme, nga instalimi i butonave të panikut deri te punësimi i rojeve shtesë të sigurisë deri te mbajtja e trajnimeve për gjuajtje me armë.

Zyrtarët zgjedhorë në të gjithë vendin thanë se po bashkërendohen më ngushtë me organet e zbatimit të ligjit vendas për t’iu përgjigjur shpejt trazirave.