Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e pedagogëve për pagat/ Luljeta Bozo: Mos jepni vetëm mësim, por vrisni mendjen e bëni projekte


Pedagogët dhe stafet e universiteteve prej javësh kanë protestuar duke kërkuar nga qeveria rritje pagash.

Por çfarë mendon ish-pedagogia, tani deputete e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo për protestën e tyre?

Në një kronikë të publikuar nga “Top Channel”, Bozo shprehet se qeveria e ka vëmendjen te pedagogët e për këtë arsye mori vendim të rrisë pagat e tyre me 7%. Rritje kjo e konsideruar e pamjaftueshme nga pedagogët.

Bozo duket se ka të njëjtin qëndrim si kryeministri Edi Rama, i cili thotë se pedagogët nuk duhen paguar njëlloj por të vlerësohen në bazë të performancës dhe t’i rrisin rrogën vetes.

“Pedagogu nuk duhet të jetë vetëm mësimdhënies por edhe shkencëtar. Të vrasin mendjen, të ulen e të bëjnë projekte!”– deklaroi Bozo për TCH.

Bozo thotë se kërkesat e pedagogëve duhet të bazohen në realitetin ku jetojnë.

“Kërkesa mund të kemi shumë dhe mund të jenë të drejta por duhet të shikojmë se nuk jemi të pandarë nga shoqëria dhe populli. Pra ne kërkojmë shumë gjëra… por a i kemi mundësitë ti realizojmë? Nuk i kemi!”– tha ajo.

Por Bozo që thotë këto fjalë, dikur ishte vetë pjesë e pedagogëve.

Në vitin 2004 ajo iu bashkua grevës së profesoratit për reformimin e arsimit të lartë dhe rishikim të pagave, drejtuar qeverisë së asaj kohe me në krye Fatos Nanon.