Vendosni fjalën kyçe....

Koncesioni 1.3 miliardë euro Thumanë-Kashar, gati aplikimet për instalimet në terren


Nisja e punimeve në terren për rrugën Thumanë-Kashar duket se është afër.

Kompania koncesionare që fitoi të drejtën për kontratën e ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes me vlerë 1.3 miliardë euro (pa TVSH) për 35 vite, ka vijuar së fundmi me aplikimet e saj të radhës që do t’i garantojnë instalimin e impianteve në terren në funksion të ndërtimit.

Në 4 tetor kompania kërkoi dhënien e lejeve nga institucionet duke i hapur kështu rrugë instalimit të një impianti të lëvizshëm betoni që do të prodhojë sasitë e nevojshme që do të nevojiten për zbatimin e kontratës dhe ndërtimin e rrugës.

“Impianti i lëvizshëm i betonit do të instalohet brenda një zone ndërtimi në afërsi me gjurmën e rrugës për të pasur akses të drejtpërdrejtë në aktiviteti ndërtimor. Zona e propozuar për vendosjen e impiantit të betonit është larg zonave të banuara, shtëpia me e afërt është rreth 300m në distancë në vijë ajrore nga objekti. Në këtë shesh nuk kryhet asnjë aktivitet tjetër social apo kulturor dhe në afërsi ka toka bujqësore të cilat shfrytëzohen nga banorët e zonës për kultura bujqësore. Periudha e planifikuar e funksionimit të impiantit të betonit :Impianti i betonit do të jetë në funksion vetëm të ndërtimit të rrugës Thumane – Kashar pra do funksionojë vetëm gjatë fazës së ndërtimit (Rruga Thumanë – Kashar)”, thuhet në dokument.

Në korrik të këtij viti “G2 INFRA” që është në këtë koncesion sëbashku me “Gener 2” paraqiti një përmbledhje jo teknike ku jepte detaje mbi projektin.

Rruga me një gjatësi 21 kilometra fillon në Thumanë dhe sipas raportit vazhdon deri në autostradën Tiranë – Durrës, me te cilën lidhet me anë të një nyje të re në disnivel.

Autostrada e re do të kalojë në zonat urbane dhe gjysmë-urbane të Thumanës, Fushë Krujës, Rinasit dhe Vorës dhe do të lidhë 2 pika: segmentin me 4 korsi në Thumanë në veri (Fillimi i projektit) me autostradën Tiranë-Durrës në jug (Fundi i projektit).

“Shpejtësia e projektuar për këtë kategori rruge do të jetë nga 90 në 140 km/ore (me tabela kufizimi shpejtësie për 130 km/ore. Përsa i përket funksionit kryesor që do të kryeje kjo autostradë në te ardhmen, ajo i përket Kategorisë A -Autostradë. Kategoria A, përbehet nga dy karrexhata te pavarura të ndara nga një barrierë sigurie e pakalueshme, secila me të paktën dy korsi, bankinë të shtruar në të majtë dhe korsi emergjence në të djathtë, pa kryqëzime në nivel, dhe me kontroll strikt të aksesit” thuhej në këtë dokument.

Koncesioni i miratuar në fund të majit 2022

Një plan të ardhurash bazë për gjithë periudhën e koncesionit të rrugës Thumanë -Vorë-Kashar parashikon mbi 1.3 miliardë euro (pa TVSH) dhe 1.56 miliardë euro me TVSH, që do të shkojnë për përfituesit e kontratës tashmë të bërë publike. Kontrata e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive Gener 2 sh.p.k dhe G2 Infra sh.p.k ka ndryshuar dhe parashikon një koncesion 35 vjeçar, ku dy vitet e para do të jetë ndërtim i këtij aksi dhe pjesa tjetër operim dhe mirëmbajtje.

Forma e koncesionit do të jetë e formës DBFOM që parashikon projektimin, ndërtimin, financimin, operimin, mirëmbajtjen dhe më pas transferimin tek shteti. Kjo do të thotë se burimet financiare për ndërtimin e rrugës do të sigurohen nga koncesioni dhe ky i fundit do të marrë në kthim të ardhurat nga tarifat që do të vendosen për kalimin në rrugë përgjatë gjithë periudhës së koncesionit.

Një element tjetër i kontratës është ai lidhur me garantimin e të ardhurave bazë që do të vijnë nga operimi i rrugës. Shteti merr përsipër që në 8 vitet e para të nisjes së operimit nëse nuk arrihet plani bazë të ofrojë mbështetje.

Kështu në vitin e parë plani bazë i të ardhurave për operim dhe mirëmbajtje është 26.85 milionë euro ndërkohë që shteti do të garantojë 8 milionë euro, në vitin e dytë që përkon me vitin 2025 plani bazë i të ardhurave është 25.58 milionë euro dhe garancia e shtetit ulet në 5.6 milionë euro.

Në vitin e tretë të operimit plani i të ardhurave është 25.10 ndërkohë që nëse nuk arrihet ky plan garancia e shtetit është për 3.92 milionë euro. Vit pas viti plani i të ardhurave ndryshon duke kulmuar në 63.15 milionë euro në vitin 2055 teksa mbështetja e shtetit ndalet në vitin 2031 kur garancia e parashikuar është 360 mijë euro./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor