Me paketën fiskale 2023, Ministria e Financave dhe Ekonomisë në ndryshimet që i bëhet projektligjit “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” i publikuar në konsultimet publike propozon ndryshimin e nivelit të akcizës së birrës.
Ndryshimi me paketën e re fiskale konsiston në unifikimin e tarifës së akcizës për birrën e bërë nga malto nga prodhues vendas e të huaj me sasi më të vogël dhe më të mëdha se 200,000 HL në vit. Konkretisht, propozohet që si për prodhuesit vendas dhe të huaj për sasi më të vogël 200,000 hl, të barazohet niveli i akcizës në masën 710 lekë/HL, sikurse është aktualisht.
Me ligjin aktual akciza e birrës të bërë nga malto, si nga prodhues vendas e të huaj është e ndarë në dy fasha. Akciza për prodhuesit me sasi më të vogël se 200,000 HL në vit është 360 lekë/HL. Ndërsa akciza për prodhues vendas e të huaj me sasi më të madhe se 200, 000 HL në vit është 710 lekë/Hl.
Ndryshimet janë kundërshtuar njëzëri nga prodhuesit vendas të cilët bëjnë thirrje për mosmiratim të ndryshimeve, pasi rrezikohet të falimentojë sektori.
Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës Vendase Stefan Pinguli pohoi për Monitor se ky propozim jo vetëm do të rrisë importet e birrës, por rrezikon falimentimin e 90% të prodhuesve vendas. “Vendosja e fashës së birrës mbronte prodhuesit vendas nga birrat e importit. Aktualisht 50% të konsumit vendas e zënë birrat e importit. Me ndryshime e propozuara fiskale, importet e birrës do të arrijnë në 80%. Kjo rrezikon falimentin e 90% të prodhuesve vendas. Po ashtu heqja e fashës dhe rritja e akcizës do të rrisë automatikisht 15% çmimin për konsumatorin. Prodhuesit janë duke shitur nën kosto nga rritja e çmimeve të lëndëve të para”, pohoi ai.
Sakaq MFE argumenton në draft se ky propozim vjen në kuadër të hartimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, si dhe rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar të cilët kanë theksuar se të gjitha përjashtimet jo standarde, normat e ulta dhe trajtimet preferenciale duhet të eliminohen nga TVSH-ja, akcizat dhe taksat kombëtare. Ato e komplikojnë në mënyrë të panevojshme sistemin, minojnë integritetin e tij dhe e bëjnë shumë të vështirë administrimin në mënyrë efikase.
“Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme të Doganave, birra në Shqipëri për vitin 2022, vlerësohet të zërë një sasi konsumi totale prej rreth 100 mln litra, nga të cilat rreth 50 Mln litra hyjnë nga importi dhe 50 Mln litra janë prodhim vendi. Nga 50 Mln Litra Birrë e importuar, rreth 35 Mln (35% e totalit) tarifohen me vlerën 710 lekë/HL/shkallë alkoolometrike, 15 Mln litra të tjera tarifohen me 360 lekë/HL/shkallë alkoolometrike (65% e totalit). Ndërsa prodhimi i vendit është i gjithi i tarifuar me 360 lekë/HL/shkallë alkoolometrike. Ndryshimi i propozuar me ane të këtij projektligji parashikon që 65% e sasisë së konsumuar do të njëhsohen me vlerën e re të akcizës 710 lekë/HL/shkallë alkoolometrike.
Sipas këtij propozimi parashikohet të mos aplikohet më një shkallë e diferencuar e nivelit të akcizës për prodhuesit e vegjël dhe të mëdhenj të produktit birrë (import/prodhim vendas), sipas kufirit të përcaktuar nga Direktiva 92/84/KEE prej 200 000 HL, sipas të cilës vendeve anëtare ju lejohet të aplikojnë një normë të diferencuar akcize bazuar në sasitë dhe nivelin e prodhimit vjetor. Ky diferencim ka favorizuar prodhuesit vendas, por sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave ka krijuar dhe hapsira për shmangie nga detyrimet e akcizës. Gjithashtu ka bërë që prodhuesit e vegjël të mos tentojnë të rrisin prodhimin me qëllim ruajtjen e nivelit të ulët të akcizës. Në këtë kuadër, propozohet që niveli i akcizës që do të aplikohet për këtë produkt të jetë i njëjtë, në vlerën 710 lekë/HL/shkallë alkoolometrike.
Efekti i parashikuar në buxhetin e shtetit është rreth +260 milion lekë”, thuhet në relacion.
Argumentet e prodhuesve përse masa e propozuar nuk duhet te miratohet:
Sipas prodhuesve shumica e shteteve të BE-së aplikojnë akcizë të diferencuar për prodhues nën 200 mijë hektolitra të reduktuar deri në rreth 50% të nivelit të taksimit bazë.
Neni 4 i Direktivës 92/83/EEC mbi harmonizimin e strukturës se taksimit me akcize te pijeve alkoolike parashikon pikërisht nivelin e diferencuar te parashikuar ne Ligjin 61/2012 Mbi Akcizën ne RSH, te harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe te hartuar me asistencën e Programit IPA 2009 te Komisionit Evropian.
1.Heqja e diferencimit sipas sasisë së prodhimit, do të ishte në kundërshtim me politikat e taksimit në Bashkimin Evropian ku duam të jemi vend anëtar.
2.Në kushtet e krizës se shtrenjtimit të lendeve të para, energjisë dhe rënies se konsumit kjo masë dë të ishte një goditje finale që do të sillte pasoja për ekonominë dhe punësimin.
3.Do të sillte si pasojë falimentimin e prodhuesve vendas.
4.Humbje shume të mëdha për investimet që janë bërë referuar legjislacionit në fuqi, duke vepruar kundër programit te qeverise dhe legjislacionit ne mbrojtje te investimeve.
5.Krijimi i pasojave sociale ku mbi 1000 familje do të jenë pa pune.
6.Niveli i Akcizës sipas direktive se BE është 0,03 Euro për 1 shishe 330 mililitra për prodhuesit mbi 200 mije HL dhe rreth 0,015 Euro për litër për ata nën 200 mijë HL
Ndërkohë në Shqipëri paguajmë 3 here me shume se niveli bazë i parashikuar në direktivën 92/83/EEC . Konkretisht: Prodhuesit nën 200 mije HL paguajnë 0.05 Euro (5.94 Lekë) për shishe 330 ml. Ndërsa prodhuesit mbi 200 mijë HL 0.1 Euro (11.7 Lekë) për shishe 330 ml. Shqipëria takson birrën me shumë, sa trefishi i nivelit të akcizës qe aplikojnë Gjermania, Rumania, Spanja, Bullgaria, Luksemburgu.
7.Një problem tjetër është edhe kostoja e vendosjes se pullave gjë që nuk ekziston ne asnjë vend te botes me një kosto rreth 0,022 Euro për shishe. E thënë ndryshe aq sa paguajnë akcize ne Gjermani etj ne paguajmë “pullën qe ruan akcizën”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor