Vendosni fjalën kyçe....

“Zgjidhja e konfliktit Rusi-Ukrainë nuk u prek” – Detajet nga takimi mes Putinit e Erdoganit


Zbulohen detaje nga takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut turk Rexhep Tajip Erdogan.

Sipas Reuters, Putin i propozoi Erdoganit që Moska të mund të eksportojë më shumë gaz përmes Turqisë dhe ta kthejë atë në një “pikë lidhëse të re furnizimi“, duke u përpjekur të ruajë ndikimin energjetik të Rusisë mbi Evropën.

Në një takim në Kazakistan, Putin tha se Turqia ofroi rrugën më të besueshme për dërgimin e gazit në Bashkimin Evropian dhe se platforma e propozuar do të lejonte përcaktimin e çmimeve pa politikë.

Putin i tha Erdoganit se kjo do të ishte “një platformë jo vetëm për furnizimet, por edhe për përcaktimin e çmimit, sepse kjo është një çështje shumë e rëndësishme”.

“Sot, këto çmime janë shumë të larta.”-tha ai. “Ne mund t’i rregullojmë lehtësisht ato në një nivel tregu normal, pa asnjë ngjyrim politik.”

Erdogan nuk u përgjigj në konferencën televizive të takimit të tyre, por zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u citua nga agjencia ruse e lajmeve RIA të thoshte se të dy presidentët kishin urdhëruar një ekzaminim të shpejtë dhe të detajuar të idesë.

Rusia furnizoi rreth 40% të gazit të Evropës përpara pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, por kishte shkurtuar ndjeshëm furnizimet edhe para shpërthimeve, duke fajësuar për ëktë problemet teknike që sipas saj ishin rezultat i sanksioneve perëndimore.

Qeveritë evropiane e hedhin poshtë këtë shpjegim, duke akuzuar Moskën për përdorimin e energjisë si një armë gjeopolitike.

NDËRMJETËSIMI TURK

Marrëdhëniet me Turqinë, anëtare të NATO-s, janë jetike për Rusinë në një kohë kur Perëndimi e ka goditur atë me valë sanksionesh ekonomike, të cilave Ankaraja nuk i është bashkuar. Megjithatë, Turqia e ka kundërshtuar veprimin e Rusisë për të aneksuar katër rajone ukrainase si një “shkelje të rëndë” të ligjit ndërkombëtar.

Erdogan ka kërkuar të ndërmjetësojë mes Moskës dhe Kievit dhe ka arritur një përparim të rrallë në korrik, kur, së bashku me Kombet e Bashkuara, ndërmjetësoi një marrëveshje që lejoi rifillimin e eksporteve komerciale të grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi që Rusia i kishte bllokuar.

Rusia është ankuar, megjithatë, se eksportet e saj të drithërave dhe plehrave, megjithëse nuk janë në shënjestër të drejtpërdrejtë nga sanksionet perëndimore, vazhdojnë të pengohen nga problemet me aksesin në portet e huaja.

Erdogan i tha Putinit: “Ne jemi të vendosur të forcojmë dhe të vazhdojmë eksportet e drithit … dhe transferimin e grurit dhe plehrave ruse në vendet më pak të zhvilluara nëpërmjet Turqisë.”

Zyrtarët rusë kishin thënë para takimit se ishin të hapur për të dëgjuar propozime nga Turqia për bisedimet e paqes që përfshijnë Rusinë dhe Perëndimin.

Megjithatë, Peskov u citua nga RIA të ketë thënë se “tema e një zgjidhjeje ruso-ukrainase nuk është diskutuar” nga udhëheqësit.