Vendosni fjalën kyçe....

“Vetëm një orë të rrijë Rama si ne”, qytetarët që kanë humbur shikimin në protestë: Nuk kemi ku lëvizim, jemi të braktisur


15 Tetori njihet në të gjithë botën si dita ndërkombëtare e “Shkopit të Bardhë” e cila simbolizon përpjekjet e pesonave të verbër për përmirësimin e standardit të të drejtave të tyre.

Me këtë rast, qytetarët që kanë humbje të shikimit dhe familjarët e tyre janë ngritur në protestë këtë të shtunë për të kërkuar rritje të pagesës së ndihmës sociale që ata marrin por edhe përmirësim të infrastrukturës për të lëvizur.

“Një person i kategorisë së verbër dihet se nuk ka kushte fare, nuk ka përkrahje nga shteti, pensione të ulëta, s’ka rruge për ne, edhe në Kamëz që i kanë bërë disa vija, përfundimi i vijës shkon në shtyllë ose në pemë. Ku do të lëvizi unë? S’lëviz dot fare.”– tha një protestues i cili vuante nga një sëmundje e trashëgueshme dhe sot kishte lënë dy fëmijët e tij në shtëpi, pasi bashkëshortja nuk ia dilte dot t’i shoqëronte të tre në të njëjtën kohë.

Qytetari shtoi: “S’kemi park në Bathore, detyrohemi të dalim në qendër të Tiranës, ose te Liqeni një herë në javë. Sipas kushteve, buxhetit.”

Ndërsa bashkëshortja e një tjetër protestuesi që vuan nga mungesa e shikimit tregon se sa e vështirë është jeta për ta. “Këta nuk bëhet fjalë të dalin me shkop, siç e kanë statusin. Edhe me shoqërues është e vështirë. Unë a të shoh ku hedh këmbën vetë, apo të orientoj këtë. Është skandaloze, sidomos në Fresk është skandaloze.

Nuk mund ta përballojmë dot.

Ne jemi të harruar, nga ky shtet, edhe pse i kemi votuar, e dinë shumë mirë që i kemi votuar dhe na kanë harruar, jemi zhgënjyer. Jemi kujtuar vetëm për ditëë votash. Po mbijetojmë. Kaq, s’kam më fjalë. Absolutisht jo, me këto çmime që janë janë të papërballueshme të gjitha. 3-fishi janë rritur.

Unë po bëj gjysmën e jetës së këtij, me 130 mijë lekë çtë bëj unë? Dhe shteti thotë mos shko të punosh ti se nuk do marrësh ndihmë. As nuk më njihet për pension.”- tha zonja.

Ajo ka edhe një mesazh për kryeministrin Edi Rama: “Një gjë i them kryeministrit. Vetëm një orë të rrijë si puna e tyre, të lidhë sytë me shami dhe Linda bashkëshortja t’ja vërë bukën para. Ta provojë dhe ta shikojë çfarë jete bëjmë ne.”