Vendosni fjalën kyçe....

Djali i Ibrahim Rugovës merr pasaportën shqiptare


Ukë Rugova merr pasaportën shqiptare. Djali i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe bashkëshortja e tij, Blerta Rugova, u betuan sot para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë ceremonisë, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se kjo nuk është thjesht një akt marrje pasaporte, por bashkimi në një mision për të realizuar amanetin e të parëve tanë.

 “Ky nuk është thjesht një akt formal i marrjes së pasaportës me shqiponjën dykrenore, por është bashkimi për një mision – me misionin për ta bërë vendin tonë më të përparuar, më të ndriçuar, më të bashkuar, më të ndritur. Amaneti që kemi trashëguar nga të parët tanë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, që nga rilindasit dhe Ismail Qemali e deri tek Ibrahim Rugova, është ta çojmë më tej progresin e bërë, pavarësisht se kemi qenë një nga kombet më të diskriminuara, më të vuajtura, dhe që kemi kaluar shumë peripeci në labirinthin e historisë. Sot jemi këtu për t’i qëndruar të vërtetë këtij misioni dhe amanetit, që kemi nga të parët tanë.”– tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës e shfrytëzoi këtë moment, për të thënë se Tirana është një kantier pune sepse destini i një qyteti të madh është të rritet dhe zhvillohet.