Forcat e rendit në Tropojë kanë arrestuar 2 shtetas kosovarë pasi dyshohet se korruptuan doganierin dhe dy punonjës të policisë në pikën kufitare të Qafë Morinës.
2 shtetasit po transportonin në mjetin e tyre mallra kontrabandë, xhama dyersh dhe dritaresh të cilat i kaluan pasi korruptuan autoritetet në kufi.
Në kuadër të opercionit ranë në pranga Artan Zeqiri 27 vjeç dhe Iliaz Rrustemi, 41 vjeç, të dy banues në Pejë, Kosovë, ndërkohë në pranga përfundoi dhe doganieri J. M., 32 vjeç së bashku me S. M., 45 vjeç dhe P. K., 58 vjeç, të dy me detyrë trup shërbimi në PKK Qafë Morinë.
“Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tropojë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Qafë Morinë”.
Si rezultat, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasit:
-A. Z., 27 vjeç dhe I. Rr., 41 vjeç, të dy banues në Pejë, Kosovë.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Qafë Morinë-Tropojë” duke transportuar me automjet, mallra të kontrabanduara (xhama dyersh dhe dritaresh), të cilat i kishin kaluar nga pika kufitare Qafë Morinë, duke korrupuar doganierin dhe dy punonjës të Policisë Kufitare.
Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit:
-J. M., 32 vjeç, banues në fshatin Tetaj, me detyrë doganier (përgjegjës turni) në PKK Qafë Morinë;
-S. M., 45 vjeç, banues në fshatin Bujan, me detyrë trup shërbimi në PKK Qafë Morinë;
-P. K., 58 vjeç, banues në fshatin Buçaj, me detyrë trup shërbimi në PKK Qafë Morinë.
Këta shtetas, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kalimin e mallrave të kontrabanduara nga shtetasit A. Z. dhe I. Rr., kundrejt përfitimit të shumave monetare.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, së bashku me mallrat e kontrabanduara”-njofton policia.