Vendosni fjalën kyçe....

Maqedonia e Veriut: Nëse dikush dëmtohet nga Ballkani i Hapur nuk do jemi më pjesë


Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha të dielën në Shkup se nisma e Ballkanit të Hapur synon thellimin e bashkëpunimit mes shteteve të rajonit, por ajo, sipas tij “nuk do të jetë e plotë pa pjesëmarrjen e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

Në një aktivitet me ambasadorin e Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, me rastin e 13 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dyja vendeve, Osmani tha se Maqedonia e Veriut mund të largohet nga Ballkani i Hapur nëse ndonjë nga shtetet do të dëmtohej nga kjo një nismë.

Maqedonia e Veriut ka njohur shtetin e Kosovës më 9 tetor të vitit 2008, ndërsa marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 16 tetor të vitit 2009

“Ballkani i Hapur është një nismë organike, një nismë e vendeve të rajonit, që krijon ndjesinë se ne edhe vet mund të bashkëpunojnë pa na ftuar dikush tjetër në ndonjë nismë tjetër. Por, problem i Ballkanit të Hapur është se aty nuk janë të gjitha gjashtë shtetet”, tha Osmani.

“Vlerësoj se janë legjitime qëndrimet e tri shteteve tjera që kanë vendosur të mos jenë pjesë e nismës. Detyra jonë është që të bëjnë përpjekje që t’i bindim, por ne përmes rezultateve duhet të dëshmojnë se jemi vlerë. Nëse nuk tregojmë rezultate atëherë s’ka se pse dikush të na bashkohet”.

“Ne, si Maqedoni Veriut nuk do të lejojmë që ndonjë shtet tjetër të dëmtohet. Ne konsiderojmë se nëse dikush do të dëmtohet, mendoj këtu edhe për Kosovën për shkak të pikëpamjeve të saj ndaj kësaj nisme, atëherë ne nuk do të marrim pjesë në këtë nismë. Ne do të jemi gardianë të mbrojtjes së cilit do shtet në Ballkanin e Hapur”, ka deklaruar Osmani.