Katër të burgosur kanë vdekur dhe 61 janë plagosur pas një zjarri të madh në burgun famëkeq Evin të Iranit.
Burime brenda burgut, i cili njihet për strehimin e të burgosurve politikë, i kanë thënë BBC-së se numri i viktimave është më i lartë.
Videot e shpërndara në internet treguan flakë dhe tym në vendngjarje dhe mund të dëgjoheshin të shtëna armësh dhe shpërthime.
Zjarri pasoi disa javë protestash antiqeveritare në të gjithë Iranin.
Qindra nga ata që marrin pjesë në protesta janë dërguar në burgun e Evinit. Nuk dihet nëse situata në burg është e lidhur me demonstratat.
Protestat shpërthyen fillimisht muajin e kaluar pas vdekjes së 22-vjeçares kurde iraniane Mahsa Amini në paraburgim nga policia. Zyrtarët thanë se ajo vdiq nga një atak në zemër, por familja e saj e kundërshtoi këtë, duke thënë se ajo ishte rrahur nga policia e moralit.
Media shtetërore ka sugjeruar se ngjarjet në burgun Evin nuk janë të lidhura me protestat në vazhdim, duke cituar një zyrtar që fajësoi “elementë kriminalë” për zjarrin.
Duke folur nga brenda burgut, guvernatori i Teheranit i tha televizionit shtetëror se kishte një trazirë në një krah të burgut.
Ndërkohë, Mizan News i Iranit ka thënë se të plagosurit patën vështirësi në frymëmarrje gjatë një zjarri në punishten e qepjes së burgut. Katër nga të plagosurit janë në gjendje kritike, njoftoi ajo.
Disa gazetarë në mediat sociale akuzuan autoritetet se “i vunë flakën burgut qëllimisht” pasi një i burgosur politik i profilit të lartë u dërgua në shtëpi përpara se të shpërthente. Mehdi Hashemi Rafsanjani, djali i ish-presidentit të ndjerë të Iranit Akbar Hashemi Rafsanjani, iu dha “lirim i përkohshëm i parakohshëm”.