Edhe pse zyrtarisht sot nis viti i ri akademik, mësimi në universitetet e vendit nuk është zhvilluar për shkak të protestës së pedagogëve.
Mësimi është bojkotuar në universitetet e Tiranës, Shkodrës, Elbasanit, Durrësit e Gjirokastrës. Pedagogët protestojnë prej disa javësh e kanë deklaruar se nuk do e ndërpresin atë deri në plotësimin e kërkesave.
Në protestën e para të zhvilluar para Fakultetit të Shkencave të Natyrës ata njoftuan kërkesa që kishin drejtuar qeverisë, ndërsa ajo u pasua me tre protesta të tjera para Universitetit Politeknik e atij të Arteve, për të vijuar më të sotmen.
“Në çdo universitet të Shqipërisë bëhet fjalë për bojkot. Prania është e lartë. Ishte mesa duket testuar situatën. Erdhi me duket për të bërë një inaugurim laboratori, por u larguan. Mësim nuk bëhet, të gjithë janë dakord për bojkotin. Bojkoti do të jetë në mënyrë të përhershme. Nga kryeministri apo qeveria ende nuk kemi komunikim.” – tha kreu i sindikatës, Sandër Kovaçi.
Në disa deklarata publike apo shënime në rrjetet sociale, kryeministri Rama ofroi rritjen e pagave të pedagogëve me 7%, gjë që u hodh poshtë nga pedagogët, të cilët kanë kërkuar përafrim me pedagogët e Kosovës dhe Malit të Zi për sa i përket trajtimit financiar.
Si sindikatava e punonjësve të Arsimit të Lartë, ashtu edhe Ministria e Arsimit e kanë lënë të hapur mundësinë e bisedimeve për zgjidhjen e çështjes por deri tani nuk ka ende asnjëë përçapje serioze apo rezutat në këtë drejtim. Pedagogët kanë pohuar se nuk kanë ndërmend të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Kërkesat e pedagogëve
- Rritje e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës akademik
- Rritje e financimit për kërkimin shkencor
- Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘dëmshmëri shëndeti në punë’
- Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
- Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
- Rivlerësimi i orës mësimore
- Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
- Pezullimi deri në vitin 2026 i kritereve për marrjen e titullit ‘Profesor’
- Transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.