Vendosni fjalën kyçe....

Politika skoceze për transgjinorët vë gratë në rrezik – JK Rowling


Autorja e ‘Harry Potter’ JK Rowling ka dënuar një plan të qeverisë skoceze për të lejuar pothuajse këdo që të ndryshojë ligjërisht gjininë pa një diagnozë mjekësore. Plani do lejojë ‘burrat grabitqarë’ në hapësirat e grave, argumentoi Rowling.

Nëse miratohet, Projektligji i Reformës për Njohjen Gjinore të Ministres së Parë Nicola Sturgeon do lejojë këdo 16 vjeç e lart që ka jetuar në ‘gjininë e re’ për tre muaj të ndryshojë certifikatën e lindjes, duke hequr një kërkesë të mëparshme për një diagnozë mjekësore të disforisë gjinore. Projektligji është kritikuar nga Komisioni i Mbretërisë së Bashkuar për Barazinë dhe të Drejtat e Njeriut dhe nga aktivistet feministe.

Pavarësisht se e quan veten një ‘feministe të vërtetë’, Sturgeon po ndëshkon gratë e vajzat me atë që përpiqet të miratojë, argumentoi Rowling në një shkrim të Sunday Times.

“Në Skoci, mund të jetë më e lehtë të ndryshosh seksin në certifikatën e lindjes sesa ta ndryshosh atë në pasaportën tënde.” – shkroi Rowling.

Si pasojë, vazhdoi ajo, ‘meshkujt’ të cilët nuk kanë pasur ndonjë operacion për ndryshimin e seksit apo trajtim hormonal do mund të hyjnë në ‘hapësirat e grave si banjat publike, dhomat e zhveshjes, qendrat e mbështetjes së përdhunimit, strehimoret e dhunës në familje, repartet e spitaleve dhe qelitë e burgut që deri atëherë ishin të rezervuara për gratë’.

Rowling vuri në dukje se që nga viti 2019, 90% e veprave seksuale të kryera në dhomat e zhveshjes ndodhën në ato që ishin neutrale ndaj gjinisë.

Për më tepër, aktivistët kanë paralajmëruar se gratë e burgosura përballen me një rrezik në rritje të sulmeve seksuale pasi Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi vitin e kaluar që të burgosurit meshkuj që identifikohen si transgjinorë mund të strehohen në burgjet e grave.

Rowling nuk është e panjohur për kritikat për qëndrimin e saj ndaj çështjeve transgjinore dhe ka marrë kërcënime me vdekje e kërcënime me përdhunim nga aktivistët trans në disa raste.