Është shoqëruar me debate mbledhja e sotme e Komisionit të Ligjeve ku u diskutua për hapjen e dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit.
Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj u shpreh “Të shkallmohet dera e bodrumit që mban të mbyllura dojet e sigurimit, të futet drita atje, kush do ta shohë, ta prekë, t’i përdorë ato dokumente. Juve thoni hajde shohim këto frëngjitë e është ajo çfaë kemi depozituar ne.”
Ai u shpreh se kjo është një e drejtë që e gëzon çdo qytetar.
“Me hyrjen në fuqi të këtij ligji çdo institucion ka detyrim të publikojë bibliografinë e dokumenteve të shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991 të deklasifikuara plotësisht. Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-sigurimit të shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për informimin. Unë gjykoj që këtu e ka vendin. Nëse e miratojmë për teknikë legjislative mund ta çojmë ku të doni ju. Ne duam hapjen e dosjeve. Jeni ju për hapjen e dosjeve apo jo?”- shtoi Alibeaj.
Deputeti socialist Pandeli Majko iu kthye ashpër Alibeajt duke thënë se ai po diskutonte sikur të ishte adoleshent.
“Ajo që ne ndahemi këtu është se ne jemi për hapjen e dosjeve sipas të gjitha propozimeve. Ne themi duhet të jemi pak më të rezervuar. Ta lëmë hapjen e dosjes si marrëdhënie mes viktimës dhe dosjes së tij. Ju doni që dosja të bëhet si Facebook. Ajo që po kërkon edhe relatorja dhe ato që tha kryetarja e komisionit të ligjeve është se kemi të bëjmë me afate. Po diskutojmë për fatin e viktimave. Ti tani do që të na vësh ne në pozitë ë vështirë që të thuash maxhoranca nuk do hapjen e dosjeve. Po diskutojmë për një dramë.
Nuk e kanë mbajtur spiunët regjimin komunist. E kanë mbajtur ca të tjerë. Ne e bëjmë diskutimin sikur të gjithë sistemin e paskan mbajtur këta. Mos insistoni kaq shumë për t’i futur një bojë të djathtës që e keni bërë fërtele. Ka pasur sigurim shteti në 29 nëntor? E kishin mendjen ata që po vriteshin për të ndërtuar burgun e Burrelit?! Nëse duam të bëjmë retorikë, pas 30 vitesh këto janë budallëqe. Të na thoni ne se ju nuk doni të hapni këto, nuk ka kuptim më. Propozimet që vijnë nga autoriteti dhe me mirëkuptimin e tyre. Ka në dosje detaje që edhe vetë viktima nuk është i interesuar. Duhet të kuptosh se ka edhe raste ekstreme, kur janë bërë spiunë njerëz që kanë qenë të përndjekur. Kanë vuajtur dy herë. Nuk më takon mua ta them këtë duhet ta thoni ju. Ik ore. Na vjen këtu, diskuton si adoleshent.”- tha Majko.
Alibeaj iu kthye: “Je kokrra e komunistit.”