Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvend propozime për ndryshime ligjore në ligjin për energjinë elektrike.
Në një deklaratë për mediet, kreu i PL-së, Ilir Meta tha se këto ndryshime synojnë t’i japin fund pengesave burokratike e korrupsionit. Ai tha gjithashtu se do ju jepej mundësi qytetarëve që të aplikonin energjinë e rinovueshme, për të shmangur humbjet në rrjet.
“Problemi i energjisë elektrike është një çështje madhore, që influencon direkt në ekonominë e vendit dhe në buxhetet familjare të qytetareve veçanërisht në këto kohë të vështira të rritjes shumë të madhe të çmimeve të saj.
Qeveria nuk e ka ende në operim bursën shqiptare të energjisë.
Qeveria nuk ka miratuar ende Operatorin e Energjive të Rinovueshme.
Për liberalizimin dhe stimulimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese nga burimet e energjisë së rinovueshme nevojitet të rregullohet pika 1 e nenit 49 të ligjit 43/2015 ‘Për Sektorin e Energjisë Elektrike’.
Liberalizimi i tregut do të mobilizojë një gatishmëri më të madhe të konsumatorëve familjarë e privatë për të investuar në këto impiante, duke shmangur pengesat burokratike.
Shqipëria ka nevojë të jashtëzakonshme për burime të reja për plotësimin e nevojave të saj në rritje për energji elektrike.
Kapaciteti aktual i instaluar për prodhimin e energjisë është 2607MË dhe nga centralet fotovoltaike është vetëm 23 MË.
Këto ndryshime do të jenë një shtysë e re për plotësimin e objektivave kombëtare për prodhimin e energjisë së rinovueshme që për 2020 ishin 38 %.
Qeveria me udhëzimet e nxjerra ka frenuar dhe nuk ka stimuluar që konsumatorët të plotësojnë kërkesën e tyre për energji nëpërmjet vetëprodhimit. Sektori banesave dhe tregtisë përbën 37% të konsumit final të energjisë të llogaritur sipas sektorëve.
Propozimi për mundësine e futjes në rrjet me pagesë të energjisë së gjeneruar nga impiantet fotovoltaike familjare, dhe subvencionimi i ndërtimit të tyre, do të krijojë një realitet të ri të konsumit dhe të kursimit të energjisë nga çdo ekonomi shtëpiake.
Pasojë pozitive do të jetë edhe ulja e ngarkesës në rrjet dhe krijimi i mundësisë për uljen e humbjeve të rrjetit që aktualisht shkojnë rreth 20 %.
Për këtë, nevojiten këto ndryshime përkatëse në ligjin nr. 7/2017 ‘Për Nxitjen e Përdorimit të Energjisë nga Burimet e Rinovueshme’ që po paraqesim për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Shqipërisë.”– tha Meta.