Vendosni fjalën kyçe....

BE bllokon fondet për Poloninë derisa vendi të zgjidhë çështjet gjyqësore


Komisioni Evropian do t’i ndalojë Polonisë kryerjen e pagesave sipas Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes pasi Varshava ende nuk po përmbush kriteret, deklaroi zëdhënësi i KE-së, mes shqetësimeve për gjyqësor të pavarur.

“Si rezultat i mospërmbushjes së kushteve mundësuese, Komisioni nuk mund të bëjë asnjë rimbursim të shpenzimeve të paraqitura nga Polonia, me përjashtim të asistencës teknike dhe veprimeve që kontribuojnë në përmbushjen e kushteve mundësuese”, deklaroi sot, Stefan De Keersmaecker, zëdhënësi i KE-së për të përditshmen polake “Rzeczpospolita”.

Në total, Polonia pret 24 miliardë euro (24.5 miliardë dollarë) subvencione dhe 12 miliardë euro kredi për ringritje të ekonomisë pas pandemisë së koronavirusit.

Në qershor, KE-ja miratoi programin e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes.

Sipas të përditshmes “Rzeczpospolita”, vonesa e pagesës do të ndikojë edhe në fondet nga politika e kohezionit, që është një sasi shumë më e madhe, mbi 75 miliardë euro subvencione në buxhetin e BE-së për periudhën 2021-2027.

Qeveria për muaj të tërë ka thënë se Polonia do të merrte paratë për të zbatuar planin, pavarësisht rezervave të shprehura nga KE-ja për ndryshimet e bëra të mundshme nga ministri polak i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, për të cilat tha se vazhdojnë të kërcënojnë pavarësinë e gjyqësorit në vend.

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki më në fund ra dakord në verë se vendi do të përmbushe kriteret e paraqitura nga komisioni, duke premtuar restaurimin e shtetit të së drejtës, përfshirë zbatimin e vendimi të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED) për likuidimin e Dhomës Disiplinore të Gjykatës së Lartë dhe nevojën përkatëse për të rivendosur në detyrë gjyqtarët e shkarkuar nga dhoma dhe për t’u garantuar gjyqtarëve të drejtën për t’i bërë pyetjet paraprake GJED-së.

Dhoma nuk ekziston më, ajo është zëvendësuar me një dhomë të re të përgjegjësisë profesionale, por kriteret e tjera nuk janë përmbushur.

Morawiecki tha se kjo nuk do të ketë ndryshim të thellë në situatën ekonomike të Polonisë.

“Ka shumë fonde më të rëndësishme të BE-së, fonde strukturore, fonde kohezioni dhe fonde bujqësore. Jam i bindur se një nga këto do të na vijë dhe duke pikuar, por me një rrjedhë normale në kalim të këtij dhe vitin e ardhshëm”, pati deklaruar ai në gusht për televizionin publik TVP.