Numri i të vdekurve nga rrëzimi i një avioni luftarak në oborrin e një ndërtese banimi në qytetin Jeisk në Rusinë jugore është rritur në 13 persona.
“Shpëtimtarët kanë përfunduar pastrimin e mbeturinave. Dhjetë trupa u gjetën gjatë aktiviteteve të shpëtimit, që e çon numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 13 persona, duke përfshirë tre fëmijë. Nëntëmbëdhjetë persona u plagosën në situatën emergjente.”- tha një përfaqësuesi i ministrisë së Emergjencave për agjencinë e lajmeve TASS.
Ekipet e shpëtimit ndihmuan në shpëtimin e 68 personave, ndërsa mbi 360 banorë u evakuuan nga zona.
Incidenti ndodhi vonë mbrëmjen e kaluar, kur një avion luftarak-bombardues Su-34 u rrëzua në Jeisk gjatë një fluturimi stërvitor, pasi një nga motorët e tij shpërtheu në flakë. Karburanti që u derdh gjatë përplasjes u ndez dhe zjarri u përhap në një ndërtesë banimi shumëkatëshe aty pranë, duke përfshirë të nëntë katet. Pilotët u hodhën nga avioni. Presidenti Vladimir Putin urdhëroi t’u jepet gjithë ndihma e nevojshme viktimave të incidentit.