Vendosni fjalën kyçe....

Blinken thotë se Kina po përshpejton planet për bashkim me Tajvanin


Sekretari i Shtetit i SHBA-ve Antony Blinken ka deklaruar se Kina po zbaton planet për bashkimin me Tajvanin “në një afat kohor shumë më të shpejtë” nga sa pritej më parë.

Ai tha se Pekini kishte vendosur që status quo-ja nuk ishte më e pranueshme.

Në fjalimin e së dielës në hapjen e Kongresit të Partisë Komuniste në Pekin, presidenti Xi Jinping refuzoi të përjashtonte përdorimin e forcës për t’u bashkuar me Tajvanin.

Kina e sheh ishullin e vetëqeverisur si një pjesë të territorit të saj, por Tajvani e sheh veten të veçantë nga kontinenti.

Muajin e kaluar presidenti amerikan Joe Biden tha se forcat amerikane do të mbronin Tajvanin në rast të një sulmi kinez, pavarësisht politikës zyrtare të SHBA-së për të mos mbajtur qëndrim mbi këtë çështje.

Gjatë një fjalimi në Universitetin Stanford të martën, Blinken tha se nëse Pekini nuk mund të arrinte bashkimin me mjete paqësore, ai do të përdorte shtrëngim dhe ndoshta forcë.

“Kjo është ajo që po prish thellësisht status quo-në dhe po krijon tensione të jashtëzakonshme.”– tha ai sipas BBC-së.

Blinken shtoi se SHBA do të respektojë angazhimet e saj ndaj Tajvanit dhe do të mbështesë aftësinë e ishullit për të mbrojtur veten.