Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky do botojë librin e ’16 fjalimeve të tij më të fuqishme të luftës’


16 ‘fjalimet më të fuqishme të luftës’ nga presidenti ukrainas Zelensky do botohen më 6 dhjetor në një libër të quajtur ‘Një mesazh nga Ukraina’, njoftoi të hënën Crown.

“I vetmi libër i autorizuar zyrtarisht nga Presidenti Zelensky, ‘Një mesazh nga Ukraina’ përfshin fjalime që ai ka zgjedhur personalisht për të treguar historinë e popullit ukrainas.” – thotë abstrakti i kopertinës, i cili tashmë është i disponueshëm për paraporositje për një çmim prej 16 dollarësh.

‘Një Mesazh’ përfshin një hyrje nga Zelensky, ku ai shpjegon atë që ka mësuar për veten dhe ukrainasit që nga fillimi i operacionit ushtarak rus në fund të shkurtit.

“Nëse doni të kuptoni se kush jemi, nga jemi, çfarë duam dhe ku po shkojmë, duhet të mësoni më shumë se kush jemi. Ky libër do t’ju ndihmojë të bëni pikërisht këtë.” – tha lideri ukrainas në një deklaratë të lëshuar nga Crown dhe të cituar nga media.

Libri, i cili përmban gjithashtu një parathënie nga Arkady Ostrovsky, redaktori i ‘Economist’ për Rusinë dhe Evropën Lindore, do dalë në Britani, SHBA, Gjermani, Spanjë dhe Portugali, sipas The Guardian.

Të gjitha të ardhurat nga libri do shkojnë për United24, një platformë e krijuar nga Zelensky për të mbledhur fonde bamirësie për vendin e tij.

Që nga fillimi i konfliktit, presidenti ukrainas, i cili më parë ishte një aktor, i është drejtuar kombit në baza ditore përmes mesazheve me video në platformat e mediave sociale.