Vendosni fjalën kyçe....

Hoteli më i madh i Hungarisë mbyllet për shkak të krizës energjetike


Hoteli më i madh i Hungarisë do mbyllet për katër muaj për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë ndërsa vendi lufton me inflacionin.

Hoteli në qendër të qytetit ‘Danubius Hotel Hungaria’ i Budapestit me 499 dhoma nuk do pranojë rezervime midis 1 nëntorit dhe 28 shkurtit sepse do jetë ‘e vështirë të funksionojë me efikasitet gjatë sezonit të dimrit’, raportoi të hënën faqja hungareze e lajmeve të udhëtimit Turizmus, duke cituar drejtuesit.

Hoteli me katër yje ndodhet në pjesën piktoreske të qytetit, afër stacionit hekurudhor të Budapestit Keleti të shekullit të 19-të. Ai u hap me emrin e tij të tanishëm në vitin 1985. Ndërtesa, e rimodeluar disa herë gjatë historisë së saj, u përdor për herë të parë si hotel në vitin 1915.

Operatori tha se tetë hotelet e tij në Budapest, Gyor dhe Buk do vazhdojnë të pranojnë klientë.

“Ne mund t’u ofrojmë miqve tanë një shumëllojshmëri mundësish të tjera akomodimi në hotelet tona në kryeqytet dhe është po aq e rëndësishme për ne që të kujdesemi për të gjithë kolegët tanë që punojnë në Danubius Hotel Hungaria, i cili do të mbyllet përkohësisht nga nëntori.” – tha drejtuesi i ‘Danubius Hotels’ Balazs Kovacs.

“Pavarësisht muajve të vështirë në vazhdim, pronari ynë është i përkushtuar për zhvillimin dhe rinovimin e hoteleve tona dhe po mendon në planin afatgjatë.”  – shtoi ai.

Lajmi vjen pasi disa hotele të nivelit të lartë hungarez njoftuan mbyllje të përkohshme, duke përfshirë hotelin luksoz ‘Kastelyhotel Sasvar Resort’, i vendosur në një kështjellë të stilit gotik të shekullit të 19-të.