Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi për dhunën në Shtëpinë e Fëmijës, procedohen penalisht drejtoresha dhe psikologia, pezullohet efektivi i policisë


Policia e Sarandës ka reaguar në lidhje me denoncimin në media për keqtrajtimin e të miturve në Shtëpinë e Fëmijëve në Vlorë.

Mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ “Stop”, në Tv Klan, një djalë i mitur ankohej se fëmijët e shtëpisë së fëmijëve “Vangjel Pula”, ishin keqtrajtuar nga stafi i këtij institucioni dhe nga një efektiv i Komisariatit të Policisë Sarandë. Ditën tjetër, Policia ka nisur procedim penal për drejtoreshën Stela Dako dhe psikologen e institucionit, Raviola Beqiraj.

Gjithashtu, është pezulluar nga detyra punonjësi i Policisë me inicialet A. Sh.

Një djalë nga Shtëpia e fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë, tregoi për kamerën e emisionit “Stop” se në këtë institucion fëmijët i keqtrajtojnë. Ai tregoi se shpesh mësueset thërrasin policë që nuk lejohet të hyjnë brenda dhe këta të fundit, i ulin në gjunjë dhe i rrahin fëmijët për gabime të zakonshme.

Djali tha se njëherë dy vajza 14 vjeçare, i zhveshën e i rrahën. Më pas vajzat u transferuan në Shkodër.

NJOFTIMI I POLICISË

Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Stop”, që bënte fjalë për një shtetas të mitur që ankohej se fëmijët e shtëpisë së fëmijëve “Vangjel Pula”, ishin keqtrajtuar nga stafi i këtij institucioni dhe nga një efektiv i Komisariatit të Policisë Sarandë, ju informojmë se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në prani të psikologes së Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve, kanë intervistuar shtetasin e mitur që shfaqet në pamjet filmike, i cili ka deklaruar se pamjet janë filmuar rreth 1 vit më parë. Për këtë rast janë kryer të gjitha veprimet procedurale, për shoqërimin dhe intervistimin e palëve të përfshira. Në vijim të këtyre veprimeve u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetaset S. D., 58 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e shtëpisë së fëmijës “Vangjel Pula” dhe R. B., 29 vjeçe, me detyrë psikologe në këtë institucion, për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”.

Gjithashtu, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, shtetasit A. Sh., me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Delvinë, pas deklaratës nga shtetasi i mitur se ky punonjës policie e kishte keqtrajtuar.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor për punonjësin e Policisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat për bashkëpunimin dhe për denoncimin e rasteve të tilla dhe i fton sërish që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën, sjellje të pahijshme apo tejkalim të kompetencave të punonjësve të Policisë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.