Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja Kim takim me gjyqtarët në GJKKO: Kriminelët po e ndjejnë presionin, ju duhet të rezistoni


Këtë mëngjes ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka qenë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në ketë takim kanë qenë të pranishëm drejtuesja Irena Gjoka dhe gjyqtarë të tjerë të Shkallës së Parë.

“Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim vizitoi sot Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe u takua me gjyqtarët e saj. Ambasadorja i përgëzoi gjyqtarët për punën e palodhur dhe përkushtimin e tyre, veçanërisht ndërsa Gjykata nuk është plotësuar ende me 16 gjyqtarët e nevojshëm dhe ka një numër gjithnjë e më në rritje të çështjeve.”- njoftoi ambasada amerikane.

Në postimin e ambasadës, zbulohet edhe se çgarë ambasadorja u tha gjyqtarëve. Sipas Kim, kriminelët po e ndiejnë presionin dhe se ata duhet të rezistojnë dhe të intensifikojnë përpjekjet e tyre.

“Vendimet tuaja kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë, u mundësuan partnerëve ndërkombëtarë që të fillojnë sërish t’u besojnë homologëve shqiptarë dhe më e rëndësishmja, u thanë njerëzve të këqinj se ligji po funksionon. Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare. Kjo është një kohë kritike për reformën në drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin. Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë.”- u tha ambasadorja gjyqtarëve.