Një debat i ashpër ka ndodhur sot në Kuvend mes Sali Berishës dhe Taulant Ballës. Ky i fundit i ka ndërhyrë në fjalën e tij, duke kërkuar nga kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolli që t’i ndërpresë atij fjalën.
“Ndërpritini fjalën” – u dëgjua Balla nga vendi.
Berisha u nervozua dhe i foli atij ashpër duke e quajtur “të pafytyrë”. Por Nikolla i tërhoqi vëmendjen, duke i bërë thirrje të ruajë etikën.
DEBATI:
Sali Berisha: Shiko, nëse ti i pafytyrë që je aty do ndërhysh në fjalën time…
Lindita Nikolla: Zoti Berisha ju tërheq vëmendjen, kujdes me etikën. Ju lutem, përfundoni.
Sali Berisha: Jo të dalë ai aty si kryetar parlamenti. Kjo s’bëhet kështu. Zonjë të kanë zgjedhë kryetare parlamenti, të të respektojnë ty në radhë të parë.
Lindita Nikolla: Respektoni me etikë të gjithë kolegët.
Sali Berisha: Ai bëhet kryetar parlamenti ai, ç’punë ka ai, ka një kryetar. Nëse se bën dot ti detyrën le të të shkarkojnë, po sa je aty të respektohesh. Pra edhe njëherë. Ky është mekanizmi i shndërrimit në mallkim kombëtar i një pasurie mahnitëse.
Dy fjalë që tha zonja që nuk ka sy të shikojë dhe s’ka as veshë të dëgjojë, i them kaq: ajo që ka bërë qeveria para jush janë epokale. Harroje Skavicën, kur të mbysësh ti Dibrën, do zgjohet Enver Hoxha dhe Beqir Balluku nga varri. Kur nuk ke për ta mbytur Dibrën ti.”
Në momentin kur Balla ndërhyri, Berisha po fliste për krizën energjetike duke thënë se energjia elektrike po kthehet në mallkim kombëtar për shqiptarët.
“Sot diskutojmë për një sektor, i cili është rasti më klasik se si një pasuri kombëtare është shndërruar në një mallkim kombëtar.
Një pasuri e çmuar kombëtare, falë një strategjie të nisur në vitin 2007, u arrit të mbidyfishohej prodhimi i energjisë hidrike.
Fakti është se në vitin 2021, Shqipëria prodhoi 9 terravat energji,nga e cila konsumon vetëm 7.
Fati tragjik është se biznesi i vogël shqiptar paguan tarifat më të larta në Euriopë, falë rritjes katastrofike që i bëtë ju.
Fakti tjetër është se po vidhni në mënyrën më të papërmbajtur. Sepse si në asnjë vend tjetër, e shisni energjinë e digave te agjentët tregtarë tuaj me 40 euro megavati, dhe ai e shet në bursa me 120 euro dhe ju sjell të gjithë fitimin që keni përcaktuar së bashku.
Fakti është se ju merrni në pikun e energjisë, energji nga Kosova, që e depoziton këtu që t’ia ktheni kur të keni. Ju atë energji, e rieksportoni dhe hapni digat, vetëm e vetëm për të përfituar dhe vjedhur.
Ju keni krijuar në sistemin energjetik nj rrjet vjedhjes më gjigante në Europë dhe botë.
Ju hapni tendera në një platformë dixhitale të paverifikuar nga askush përveç grupit të hajdutëve me të cilët vidhni. Këtu hapni tendera për 300 milionë euro. Hap e mbyllë sytë, fap e fap, shpallet fituesi me 99.99 përqind. Ju vidhni e vetëm vidhni.
Ju keni instaluar kohët e fundit një sistem vjedhje të qytetarëve në pallatet private të vjetra. OSHEE ka urdhëruar që t’u faturohet pallateve të vjetra pa ashensor, pa pompa uji, që kanë vetëm 5 llampa, ju u faturoni 600 kilovat në orë. Çdo familje duhet të paguajë vjedhjen tuaj. Dhe thoni se keni ulur humbjet.
Po gropa e zezë jeni ju si qeveri. Që nuk paguani tarifat e konsumit të energjisë nëpër institucione. 200 milionë euro para të taksapaguesve ju i bëni orgjira dhe vidhni në drejtime të tjera.
Si mund të kthehet ndryshe një pasuri e çmuar kombëtare, në një mallkim kombëtar?
Ky është mekanizmi i shndërrimit në mallkim kombëtar të një pasurie mahnitëse.”– tha Berisha.