Të shtunën dhe të dielën Tirana mirëpret dy gara vrapimi. Nesër kryeqyteti do të mikpresë garën e vrapimit “Fun Run Tirana” me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, ndërsa të dielën do të zhvillohet “Maratona e Tiranës”.
Për këtë arsye, Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka hartuar një plan masave për menaxhimin e trafikut në gjithë qytetin e Tiranës.
Përmes një njoftimi për mediet, Policia Bashkiake bën me dije se në të gjithë perimetrin e garës, në funksion të sigurisë, ka vendosur sinjalistikë të përkohshme rrugore, ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet.
Për arsye sigurie, Policia u bën thirrje qytetarëve që të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet private në këto dy ditë për të shmangur trafikun në qytet. Dhe të mos futen brenda perimetrit të garës.
MASAT E POLICISË BASHKIAKE
Njoftim i rëndësishëm
Më datë 22 Tetor, nga ora 09:00-11:00, në blv. Dëshmorët e Kombit do të zhvillohet gara e vrapimit “Fun Run Tirana”, me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe më datë 23 Tetor nga ora 08:00-16:00, do të zhvillohet aktiviteti më i madh ndërkombëtar sportiv dhe promovues i vitit, që është “Maratona e Tiranës”.
Në zbatim të Urdhëresës Nr. 35934/1 datë 13.10.2022, të Kryetarit të Bashkia Tiranë “Mbi organizimin e planit të lëvizjes së automjeteve,gjatë mbarëvajtjes dhe organizimit të aktiviteteve “Fun Run” dhe “Maratona e Tiranës 2022”, nga Policia Bashkiake në bashkëpunim me Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, si dhe Policia Rrugore Tiranë, është hartuar Plani përkatës i Masave, me detyra konkrete të përbashkëta, duke synuar garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të garës, si dhe menaxhimin e trafikut në gjithë qytetin e Tiranës.
Gjithashtu ju bëjmë me dije se, Bashkia Tiranë, në të gjithë perimetrin e garës, në funksion të sigurisë, ka vendosur sinjalistikë te përkohshme rrugore, ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet.
Për sa më sipër, me qëllim sigurinë e garuesve, qytetarëve, parandalimin e aksidenteve rrugore, mbarëvajtjen e Maratonës pa incidente, si dhe lehtësimin e trafikut, u lutemi qytetarëve të Tiranës:
📌 Të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet private, për lëvizjet e tyre, në datën 22-23 Tetor për të shmangur trafikun në qytet.
📌 Të mos tentojnë të hyjnë me automjet brenda perimetrit të garës, gjatë zhvillimit te garës, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar, si dhe t’u binden menjëherë shërbimeve policore, në devijimet eventuale të trafikut.
📌 Të mos parkojnë, mjetet e tyre private, brenda perimetrit të garës, në kundërshtim me sinjalistiken rrugore të vendosur.
📌 Të lëvizin mjetet e parkuara në rrugët ku do të zhvillohet gara, nëse i kanë parkuar disa ditë më parë, pasi në të kundërt, do të spostohen me mjet ngritës, nga shërbimet policore.
📌 Ata qytetarë, që do të duan të lëvizin me automjetet e tyre, që ndodhen të parkuara në brendësi të lagjeve që ndodhen brenda perimetrit të garës, duhet t’i nxjerrin ato, jashtë perimetrit, përpara ores 08:00 të datës 23 Tetor, pasi rrugët do të bllokohen deri në orën 16:00 dhe nuk do të kenë mundësi të hyjnë-dalin, nga zona e perimetrit te garës me automjet.
📌Të mos tentojnë të levizin me biçikleta, monopatina, apo motore elektrike, ne rruget ku do te jenë vrapuesit gjatë zhvillimit të gares, pasi kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar.
📌 Këmbësorët, të bashkëpunojnë me shërbimet policore dhe vullnetarët, për të kaluar rrugën, në vendet e përcaktuara, pa u bërë pengesë për vrapuesit.
Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, ju faleminderit.