Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të deputetit të PD-së Agron Shehajt, i cili tha dje në Parlament se biznesin e tij policia e ka bllokuar prej ditësh me urdhër të kryeministrit si hakmarrje për denoncimet e tij.
Rama e quajti Shehajn një “ballist foltoreje”, ndërsa shpjegoi se biznesi i deputetit ishte në një ndërtim pa leje.
“E vërteta është komplet tjetër e kanë një pafytyrësi monumentale. Policia s’ka vajtur te biznesi i deputetit. Policia ka vajtur në mbështetje të Inspektoraiatit në vazhdën e operacionit për të bllokuar e sekuestruar e konfiskuar të gjitha metrat katrorë të ndërtuara pa leje me qëllim fitimi nga ata oligarkët që na i faturojnë ne por që në fakt janë këta që janë mësuar të ushqehen prej tyre.
Ka bllokuar godinën për të cilën pronarja thoshte e kam hotel e brenda na gjendet një biznes i një deputeti, një ballist foltoreje se e them këtë të ballisitit se është për të qeshur se këta që në kohën e Shefqet Musarait e atyre epopeve dalin të fshehur nëpër kotece. Doli brenda një biznes në një ndërtim pa leje. Dakord, ka hyrë atje, këta se kanë problem të shkelin rregulla sidmos me ndërtimet kanë raport patologjik se i duan pa leje po si ka mundësi kap foltoren në Parlament e fillon ‘policia regjimi Rama e merr emra nëpër gojë’.
‘Duan të më mbyllin’. Po për cfarë t’ja mbyllim gojën ne atij se ai sa herë flet ne na jep pikë, si ti mbyllim gojën atij? Ti mbyllësh gojën dikujt që të jep pikë?
Bën dhe viktimën e fjalës së lirë dhe pavarësisht nga fakti që ne po i japim një goditje përfundimtare atyre që janë mësuar të hapen jashtë lejeve për qëllime fitimi, pra më të pasurve, janë po këta që çojnë në Gjykatë Kushtetuese ankesë. Po ç’punë ka një parti politike të ankohet pse shteti kap disa biznesmenë në shkelje të ligjit? Shumë e thjeshtë, sepse janë bashkë ndryshe nga cfarë thonë.”– tha Rama.