Deputeti i PD-së Agron Shehaj ka reaguar lidhur me qëndrimin e mbajtur nga Ministria e Brendshme për bllokimin e biznesit të tij nga Policia.
Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj thotë se qeveria po jep arsye qesharake pasi sipas tij arsyeja e bllokimit të biznesit është vetëm “hakmarrja e verbër politike e Edi Ramës” ndaj denoncimeve të tij.
“Edi Rama pranoi dje se shteti i tij policor ka bllokuar në mënyrë të paligjshme një biznes ku janë të punësuar 200 ekspertë IT-je, të cilët prej tri javësh mbahen forcërisht jashtë zyrave. Por paligjshmëria dëshmohet edhe më e qartë në pretekstet qesharake me të cilat justifikohet kryeministri. Ajo se ndërtesa është pa leje.
Rama gënjen.
E vërteta është se kompania ime ka bërë një kontratë qeraje para noterit në përputhje të plotë me ligjin për një objekt me leje. Por nëse ndërtesa ka shkelur lejen, e kujt është përgjegjësia? Është qeveria dhe agjencitë nën varësinë e Edi Ramës ato të cilat kanë detyrimin ligjor për të mos lejuar ndertimet pa leje dhe jo bizneset private, të cilat bëjnë kontrata të rregullta qeraje.
Ky është një pretekst banal.
Arsyeja e vërtetë e bllokimit është hakmarrja e verbër politike e Edi Ramës ndaj denoncimeve të mia për aferat e tij të rënda, që nga firma që bëri Xhaçkën investitore strategjike, resortet e kushërinjve të Gjiknurit në Butrint.
Dil dhe shpjegohu shqiptarëve, kur bëre ministren investitore dhe i dhe plazhin në Dhërmi, ishe apo jo në dijeni për kunatën e ministres Xhaçka të maskuar si investitore amerikane?”– shkruan deputeti duke ndarë me ndjekësit e tij një foto nga biznesi i bllokuar.