Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka marrë pjesë në Konferencën e Shefave të Policisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Konferenca u mbajt në Dallas.
Në një njoftim të Policisë së Shtetit, thuhet se tema kryesore e konferencës ishte diskutimi për gjetjen e metodave dhe formave sa më efikase për të luftuar krimin e organizuar transnacional, llojet e tjera të krimit, terrorizmin dhe radikalizmin e dhunshëm.
Drejtori i FBI-së dhe Prokurori i Përgjithshëm kanë përshëndetur nga afër të pranishmit në këtë event dhe kanë vlerësuar rolin e shefave të Policisë, në intensifikimin e masave kundër këtyre fenomeneve që cenojnë sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Gjithashtu, pjesëmarrësit u përshëndetën nëpërmjet një video-mesazhi, edhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë (IACP) është shoqata profesionale më e madhe dhe më me ndikim në botë, për drejtuesit e Policisë.
Gjatë ditëve të zhvillimit të konferencës, Rrumbullaku ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme, me Zv.prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, përfaqësues të ICITAP-it, homologët e rajonit dhe me përfaqësues të Shoqatës Amerikano-Shqiptare të Zbatimit të Ligjit.
“Zv.prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Kenneth A. Polite, i ka ofruar mbështetje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nëpërmjet ICITAP-it, si dhe ka vlerësuar angazhimin dhe seriozitetin e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit dhe terrorizmit.
Gjatë takimit mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit për Programin Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnimin e Hetimeve Kriminale (ICITAP), Divizioni Kriminal, Departamenti i SHBA-së, z. Gregory Ducot, u diskutua për rëndësinë e asistencës dhe për rritjen e mëtejshme të prezencës së ICITAP-it në Policinë e Shtetit, duke shtuar trajnimet për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe atyre profesionale.
Në takimin me homologët e rajonit, Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku ka diskutuar për intensifikim të bashkëpunimit, sidomos në fushën e krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar.”– thuhet në njoftim.
Rrumbullaku ka takuar gjithashtu përfaqësuesit e Shoqatës Amerikano-Shqiptare të Zbatimit të Ligjit, të cilët i ka falënderuar për kontributin e tyre në mbështetje të Policisë së Shtetit.
Në të gjitha takimet, ai ka bërë prezente objektivat që ai ka për të reformuar Policinë e Shtetit. Ai i ka siguruar pjesëmarrësit në takime, për vendosmërinë e tij dhe të Policisë së Shtetit, për të punuar ngushtësisht me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, në përmbushje të misionit të përbashkët.