Ka nisur protesta për Lear Kurtin, 32-vjeçarin që ndërroi jetë pasi u shoqëria nga policia. Qytetarët janë mbledhur para Ministrisë së Brendshme ku kërkojnë dorëheqjen e ministrit Cuçi.
Një nga protestuesit tha se problemet në vend janë të shumta ndërsa theksoi se zgjidhja e vetme është largimi i qeverisë. Një nga protestuesit mbante në duar një pankartë ku shkruhej ‘Kë thërret kur policia vret’. Po kështu qytetarët thanë se vdekja e të riut Kurti në duart e policisë është një rast i përsëritur.
“Kujt do ti kërkojmë ndihmë. E vetmja rrugë është largimi i kësaj qeverie. Besimi është zero. Nuk është rast i parë është rast i përsëritur. veçse vrasin edhe poshtërojnë viktimën çnuk thonë për të. Jetën na e ka dhënë Zoti, kjo polici e shteti po na e merr çdo ditë. Kur na vret policia kë duhet të thërrasim. Na jep dot kush këtë përgjigje. Ne duhet të thërrasim popullin.” – tha ai.
Protestuesit kanë thirrur parrulla si ‘Polici e krimit’ e ‘Dorëheqje’.
“Janë politikat e shtetit shqiptar që po vrasin të rinjtë tanë,. Jemi këtu të kërkojmë llogari, vëllai i dikujt u vra padrejtësisht. Policisë i ngelen djemtë e Shqipërisë në dorë. I ngelën djemtë e një nënë në dore. Vranë Ardit Gjoklen, u vra i riu në Kavajë. Vranë Jonadën me një skaf që i kalonte 50 mijë euro” tha një tjetër qytetar, duke shtuar: “Përbaltën viktimën. Pyetje për Çuçin e policët? Më tregoni Kodin e Transparencës që zbardhet çështje e Leartit. E keni detyrim,. Autopsia është dhënë 2 orë pas vdekje. me rregull duhet 12 orë. jepni dorëheqjen. po shkelin çdo ligj, po mbrojnë uniformat e përbaltura me gjakun e të rinjve shqiptarë. Nuk do të dorëzohemi. Ju jeni vrasës!” – tha një tjetër protestues.
Lear Kurti ndërroi jetë një ditë më parë pasi u shoqerua nga policia në rrugën ‘Don Bosko’. Sipas policisë, i riu ishte larguar me vrap e pas ndjekjes ishte ndaluar por pas mbërritjes në Komisariatin 3 kishte shfaqur gjendje të rënduar shëndetësore. Në njoftimin e policisë dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore thuhet se për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, efektivët nuk e kishin pritur ambulancën e lajmëruar dhe e kishin dërguar të riun vetë në spital. Spitali i Traumës nga ana e tij në një deklaratë pohoi se i riu kishte mbërritur pa shenja jete. AMP-ja e Prokuroria në një deklaratë njoftuan se të riut i ishte gjetur në stomak një qese plastike e bardhë e çarë. Babai i të riut tha një ditë pas ngjarjes se i biri nuk kishte pasur asnjë problem shëndetësore duke akuzuar policinë për vrasjen e tij.