Deputetët konservatorë kanë filluar të deklarojnë se kë po mbështesin për t’u bërë kryeministri i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar dhe lideri i partisë së tyre.
Aktualisht 191 nga 357 deputetët konservatorë kanë dalë publikisht me mbështetjen e tyre. Kështu sipas BBC-së, mbështetja deri më tani për tre kandidatët është e tillë:
Rishi Sunak – 117 deputetë
Boris Johnson – 52 deputetë
Penny Mordaunt – 22 deputetë
Shumë të tjerë mund të mos deklarojnë se kë po mbështesin, dhe më shumë mund të shpallin vendimet e tyre gjatë fundjavës – prandaj numrat mund të vazhdojnë të ndryshojnë me shpejtësi.
Në këtë listë janë të përfshirë vetëm deputetët që i kanë thënë BBC-së në procesverbal se kë po mbështesin, ose deputetë që kanë deklaruar publikisht mbështetjen e tyre.
Kandidatët do të kërkojnë mbështetjen e të paktën 100 deputetëve konservatorë.
Penny Mordaunt është e vetmja kandidate që konfirmon se është duke kandiduar deri më tani. Secili prej kandidatëve të tjerë të përfolur mund të mos kandidojë, ose një deputet tjetër mund të deklarohet si kandidat.
Lista në rritje ka nxjerrë në pah se si deputetët konservatorë kanë ndryshuar mendje që nga vera. Pati tronditje në Ëestminster pasi Caroline Johnson premtoi mbështetjen e saj për zotin Johnson – vetëm disa muaj pasi dha dorëheqjen si zëvendëskryetare e partisë dhe i bëri thirrje atij të jepte dorëheqjen.
Dhe ish-kancelari Sajid Javid ka vendosur të mbështesë Rishi Sunak, edhe pse në zgjedhjet e fundit nuk e mbështeti atë por Liz Truss.
Siç shkruan BBC, mbështetësit e Rishi Sunak janë thellësisht skeptikë ndaj kampit të Boris Johnson që pretendon se ai ka mbështetjen e më shumë se 100 deputetëve.
Ata kërkojnë që ai të publikojë një listë të atyre që e mbështesin. Por Johnson me shumë gjasa po pret të shohë situatën pasi do të futet në garë vetëm nëse është i bindur se do fitojë.
Kemi më pak se 48 orë deri në mbylljen e nominimeve për kreun dhe kryeministrin e ardhshëm të Partisë Konservatore. Kandidatët me shpresë kanë kohë deri të hënën në orën 14:00 për të gjetur 100 mbështetës.